Më 14 shtator Kancelarja Angela Merkel do të takojë krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin shqiptar Tiranë. Më parë ajo do të qëndrojë në Beograd.
Siç njoftoi zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, Kancelarja do të takojë në Beograd edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në Tiranë, përveç kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ajo do të takojë në biseda biletarale edhe krerët e qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Tregu i Përbashkët Rajonal
E pyetur nga DË për pritshmëritë e kancelares në këtë udhëtim, zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina fietz, theksoi se Kancelarja do të bisedojë për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Ajo kujtoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar në konferencën e tyre të fundit virtuale drejtuar nga kancelarja Merkel, më 5 korrik të këtij viti, se do të angazhohen për implementimin e saj.
Fietz tha se kjo do të jetë temë e bisedave, pa hyrë më tej në hollësi për qëndrimin e kancelares rreth nismës më të fundit të tre liderëve ballkanikë, Rama, Zaev, Vuçiq, të quajtur Open Balkan./ DW