GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-shefit të Rrugores Roven Zeka.

GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Zeka kërkoi masë më të butë, pasi u rrëzua në ambientet e burgut dhe dëmtoi legenin.

Ish-shefi i rrugores dyshohet nga SPAK për korrupsion, në lidhje me procedurat për një aksident në kryeqytet

Më herët, masa e “arrestit me burg” është lënë në fuqi nga Apeli i GJKKO-së për Zekën dhe oficerin Edison Tabaku, ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të rrethanave familjare.

Kujtojmë se urdhër-arresti nga Prokuroria e Posaçme për Zekën, Novakun dhe zyrtarin tjetër të policisë Edison Tabaku u lëshua më 19 prill të këtij viti. Ata akuzohen për “korrupsion pasiv” lidhur me një ngjarje të ndodhur më 16 prill, ku kërkuan ryshfet për të mos arrestuar drejtuesen e një mjeti që kishte shkaktuar një aksident me pesë të plagosur në kryeqytet.

SPAK thekson se sipas informacioneve të siguruar nga BKH, ka rezultuar se oficerët e policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit pagesën prej 2 mijë eurosh. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim me ndihmën e personave të tjerë.

Roven Zeka u emërua në krye të Policisë Rrugore të Tiranës në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më herët ka shërbyer në qytetin e Elbasanit.