Të premten që lamë pas Kiara Tito finalizoi me sukses emisionin më të ri në Abc News, Style Star, që mori nën drejtim. Ky spektakël u finalizua me një fituese, Boriana, që u zgjodh si vajza më me stil e këtij edicioni të parë.

Ndërkohë për Kiara Titon, kjo ishte hera e parë që ajo kishte jo vetëm rolin e moderatores, por edhe të autores së emisionit. Në një intervistë të dhënë ditën e sotme për emisionin “FriendZone”, Kiara ka treguar se si e ka përjetuar këtë eksperiencë. Kiara tha se ky format ishte i vështirë për të, por e ka shijuar shumë, sidomos pjesën e autorësisë.

“Ka pasur vështirësi në menaxhimin e situatave, mes vajzave, stafit dhe duhej të kishe një qetësi shumë të madhe që t’i menaxhoje situatat. Kënaqësinë më të madhe e kam marrë si autore, sepse më shijonte çdo situatë që krijohej. Nuk e kisha provuar këtë pjesë, por sido që të jetë ti rritesh profesionalisht me një eksperiencë të tillë”, u shpreh Kiara.

Ajo theksoi se tashmë është duke punuar për sezonin e ri dhe ka vajza që kanë nisur të interesohen për t’u bërë pjesë e spektaklit, edhe pse audicionet nuk janë hapur ende. Ndër të tjera, Kiara Tito foli edhe për çështjet e saj të zemrës.

Ajo tha se aktualisht është beqare dhe nuk ka asnjë partner në krahë. Kiara është përfolur shpesh për jetën e saj private dhe fansat kanë qenë gjithmonë kurioz për çështjet e zemrës.