Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak hodhi poshtë sot përpjekjet e Vatikanit për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë, duke thënë se Papa Françesku është “pro-rus”.

Prej muajsh Vatikani po përpiqet të nisë bisedimet mes dy vendeve me ndihmën e një këshilltari special.

Podoliak i referohej një deklarate që Papa bëri në një fjalim në fund të gushtit. Më 25 gusht, duke folur jashtë kontekstit dhe duke iu drejtuar të rinjve katolikë të Rusisë, Françesku iu referua carëve Pjetri I dhe Katerina II – që të dy zgjeruan territoret ruse në atë kohë – dhe i tha auditorit të tij se ata janë trashëgimtarët e “një perandorie të madhe ruse. “.

Kjo deklaratë shkaktoi një protestë në Ukrainë, sepse presidenti rus Vladimir Putin thirret në trashëgiminë e këtyre dy carëve për të justifikuar pushtimin dhe aneksimin e territoreve ukrainase. Kremlini, nga ana tjetër, vlerësoi Papën për njohuritë e tij mbi historinë ruse.

Pas reagimit të ashpër, Papa tha se ai i referohej kulturës ruse, jo politikës së Moskës, kur foli për “Rusinë e madhe”.