Ambasadorja Yuri Kim ka përcjellë një mesazh në ditën botërore të lirisë së Shtypit. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Yuri Kim shpreh mbështetjen për gazetarët e pavarur që përpiqen të zbulojnë të vërtetën. Sipas ambasadores së SHBA, roli i medias është parësor që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur të cilët përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikëqyrës në një mënyrë të përgjegjshme dhe të punojnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë. Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses dhe pandëshkueshmëria të përfundojë, roli që ka një media e fortë dhe e pavarur është parësor”, shkruhet në postimin e Ambasadës së SHBA.
Gjithashtu ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë edhe një foto me ish-ambasadorët e SHBA në Shqipëri, Bill Ryerson, Marisa Lino, Jim Jeffrey, Marcie Ries, Alex Arvizu. Ambasadorja thotë se eksperiencat në këto 31 vite janë të ndryshme, ndërsa kanë të përbashkët besimin se lidhja mes shqiptarëve dhe amerikanëve është në të vërtetë speciale.