Ky vlerësim i integruar mat njohuritë në Gjuhë, Matematikë dhe Dituri.

Më 23 Maj do të bëhet vlerësimi i nxënësve të arsimit fillor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit  vlerësimi kombëtar i arritjeve të nxënësve të klasës së 5-të të arsimit të detyruar synon të vlerësojë njohuritë dhe kompetencat bazë, të fituara nga nxënësit në ciklin fillor, në lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre.

Njëkohësisht, ky vlerësim kombëtar synon të vlerësojë aftësitë e nxënësve për të mbajtur qëndrime aktive ndaj njohurive dhe përvojës së fituar në shkollë, si dhe për të parë nevojat për ndërhyrje apo përmirësime të mëtejshme të komponentëve bazë të procesit mësimor. Nxënësit që janë aktualisht në klasë të pestë, vijnë pas dy viteve  shkollore të pandemisë ku nxënësit bënë mësim online dhe me orare të reduktuara.

Për nxënësit e pakicave kombëtare greke dhe maqedonase pjesa e testit që përfshin lëndët e Matematikës dhe Diturisë së Natyrës do të jetë në gjuhën e tyre amtare. Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor, fillon në orën 10:00 dhe zgjat 1 orë e 30 minuta.

Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me programin mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe standardin e tyre. Instituti i nxënësve që nuk shikojnë testin e kthen në sistemin e shkrimit Brail.

Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit parauniversitar.

Vitit i ri shkollor 2021-2022 nisi në fund të Shtatorit, pasi për shkak të pandemisë nxënësit bënë dy javë mësim plotësues, ndaj shkollat do të mbyllen më vonë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, arsimi bazë 9-vjeçar do të mbarojë më 17 Qershor, ndërsa shkollat e mesme përfundojnë më 24 Qershor.