Policia e Tiranës ka vënë në pranga një të ri pasi kishte kultivuar kanabis në tokën e tij në periferi të qytetit.

Njoftimi i plotë:

Tiranë / Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit, vihet në pranga 1 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në zbatim të planit të masave “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike’’, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të territorit, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Shpataj, Njësia administrative Baldushk.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. A., 20 vjeç, banues në fshatin Shpataj, pasi gjatë kontrollit në tokën në pronësi të tij, në një sipërfaqe të pyllëzuar, u gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë babai i tij, shtetasi H. A., 58 vjeç, pasi gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.