Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi sot se kishte pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në procedimin penal ndaj gjyqtarit Taulant Tafa. Megjithatë, ndryshe nga kërkimi i ILD-së për shkarkim të Tafës për “shkelje diskretituese”, Këshilli e ndëshkoi atë me 3 muaj pezullim me të drejtë për të marrë pagë minimale.

Tafa akuzohet nga ILD se ka favorizuar në mënyrë të paligjshme të dënuarin me burg të përjetshëm Arben Grori, duke pranuar kërkesën e tij për uljen e dënimit me 720 ditë. Grori është fajtor për vrasjen në Itali në Naim Zyberit në vitin 1997, në bashkëpunim me Gerd Gjinerarin, lirimi me kusht i të cilit çoi më herët në shkarkimin nga KLGJ të gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo.

Sipas ILD-së, Tafa kishte zbatuar një standard të ndryshëm nga vendimet e tij të mëparshme për çështje të ngjashme, duke sjellë cënim të besimit të publikut te drejtësia dhe cënim të figurë së magjistratit.

“Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore”, thuhet në njoftimin për shtyp të ILD-së, në të cilin theksohet se për këto shkelje ishte kërkuar shkarkimi i magjistratit.

Masa ndaj Tafës është ndër më të lehtat e dhëna nga KLGJ, për gjyqtarë të gjetur në shkelje disiplinore. Për shkelje të ngjashme Këshilli ka shkarkuar ish-gjyqtaren Enkeleidi Hoxha dhe gjyqtarin Markelian Kuqo. Ndërkohë  gjyqtarja tjetër e Elbasanit Enkeleda Kapedani u pezullua nga KLGJ për 6 muaj, për shkelje të etikës në postimin e disa videove në rrjete sociale.

Seanca plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, e cila ishte njoftuar se do të zhvillohej njëkohësisht në sallë dhe transmetohej virtualisht në orën 11 të ditës së martë, filloi dy orë me vonesë.  Arsyet e vonesës nuk u bënë të ditura nga drejtuesja e seancës. /Birn