Shqipëria mund të kthehet në një vend konkurrues sa i takon prodhimit dhe eksportit të vajit të ullirit në tregjet ndërkombëtare por për këtë i duhet të konsolidojë markën e saj. Vetëm këtë 8-mujor eksportet kapën vlerën e 25 milionë eurove, me rritje vjetore gati 7 herë më të lartë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me një traditë të gjatë në kultivimin e ullirit dhe prodhimit të vajit, vëmendja e re që ka marrë sektori dhe investimet, po e bëjnë gjithmonë e më të prekshëm zgjerimin në tregje të reja.
Pikërisht kjo ishte epiqendra e një konference të dedikuar mbi këtë çështje në Expo City, nën titullin “Ulliri dhe Cilësia e Vajit të Ullirit në Shqipëri”, ku diskutua mbi arritjet e eksportit në vitet e fundit, sfidat dhe zgjidhjet e tyre, si dhe objektivat që aktorët kryesorë kanë për këtë produkt.
Ekonomisti agrar, Drini Imami u shpreh se edhe pse prodhimi i vajit të ullirit përjetoi një ecuri shumë të mirë vitin e shkuar, mbiprodhimi u kthye në një sfidë për t’u menaxhuar pasi zgjidhja kryesore për këtë situatë është eksporti. Pikërisht në këtë drejtim sugjeroi ai që të jetë fokusi kryesor kur flasim për këtë kulturë.
“Rritja e prodhimit të vajit ka nxitur konsumin në popullsi, por gjatë kësaj periudhe kemi vënë re shumë sfida. Edhe pse vitin e kaluar kemi pasur mbiprodhim, sivjet kemi rendiment të ulët. Problematika më e madhe që unë shoh se do të përballemi për shumë kohë është mbiprodhimi i cili kërkon eksport. Pikërisht në këtë çështje duhet të fokusohemi- u shpreh Imami
Stephan Joss drejtues i projektit të Risi Albania u shpreh se ndryshimet klimatike në Itali edhe Spanjë kanë ndihmuar në eksportet e vajit nga Shqipëria por duhen zgjidhje afatgjate që të vendi ynë të vendoset në hartë. Duhet krijimi i një marke dhe rritja e cilësisë që produktet shqiptare të konkurrojnë denjësisht me vende si Italia , Greqia dhe Spanja.
“Dua të nis me ndryshimet klimatike. Kur ministria na kontaktoi për këtë çështje, Spanja dhe Italia në atë kohë po vuanin nga një thatësi që kishte dëmtuar prodhimin e tyre të ullirit. Kur ministrja na kontaktoi, kërkoi që ne të gjejmë një zgjidhje afatgjate dhe jo vetëm për një vit, pasi Shqipëria fatmirësisht nuk u përball me fatkeqësi të tilla
Ne si eksportues duhet të përgatitemi për situata të paparashikueshme, si për tregun vendas ashtu edhe për atë të huaj. Ne duhet të shohim potencialin e vërtet të këtij produkti. Duhet të brendojmë dhe të vendosim një imazh të vajit të ullirit për të theksuar vlerën e vërtetë. Por duhet të rritet besimi te konsumatorët, dhe kjo bëhet vetëm duke menaxhuar cilësinë. Është e vërtetë që duhet të investohet në pajisje, por fitimet e marra pas rritjes së cilësisë do të jenë gjithmonë e më të shumta. Bashkimi i të gjitha këtyre na vendos në hartë me shtetet e tjera, duke na bërë të barabartë dhe duke konkurruar denjësisht me Spanjën, Italinë dhe Greqinë. ”- u shpreh Joss
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj bëri thirrje për bashkëpunim të të gjithë aktorëve kryesor të tregut në mënyrë që të krijohet një ekonomi shkalle që të arrihet rendimenti ekonomik i duhur. Denaj vuri theksin edhe te tregtimi i vajit nën një etiketë dhe jo në format që e shohim sot, pasi ky tregtim ul vlerën e produktit jo vetëm në tregun kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.
“Statistikat na japin informacion për të krijuar politika. Ne shohim që sasia e eksportit ka rritur nga 149 tonë në mbi 300 tonë. Janë disa gjëra që duhet të orientohen. Ne duhet të krijojmë një ekonomi shkalle që të arrijmë nivelin e duhur të rendimentit ekonomik aty ku duhet. Duhet të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët, ku produktet të kenë vlerën e duhur sipas tregut. Nuk duhet të ketë më bidonë plastik, vaji duhet të zëvendësohet me etiketë që të kemi një vlerë fikse.
Nëse ne shesim lirë produktin tonë, ne nënvlerësojmë pasurinë që na është dhënë. Për çdo zonë që ka mundësi të kultivojë vajin, duhet të rrisë sa më shumë rendimentin dhe jo të mendojë të ulë çmimin.”
Kryetari i këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj shprehet që suksesi i arritur nuk do ishte i mundur pa bashkëpunimin e 14 objekteve që në fokus kishin rritjen e vlerës së vajit në tregjet e huaja dhe përmirësimin e cilësisë
Kemi pasur një vit shumë të suksesshëm këtë vit, dhe ky sukses i përket më së shumti bashkimit të 14 subjekteve që kanë pasur kulturën e ullirit si fokusin kryesor. Ishte pikërisht ky bashkimi që bëri të mundur arritjen e këtyre rezultateve.
Në periudhën 2021-2022 ne kemi eksportuar rreth 149 tonë vajë sot jemi në shifra e 7 mijë tonë vaj që nuk janë të regjistruar fiks. Kjo kulturë ka një potencial të madh që ne jemi përpjekur që ta arrijmë gjithmonë e më shumë janë bërë analizat e duhura për të provuar cilësinë e produktit.
Megjithatë, gjatë vitit kemi hasur në sfida të ndryshme dhe për të përshkuar nivele më të larta të suksesit, të cilat janë të mundshme kemi bërë thirrje edhe për bashkimin e 10 subjekteve të tjera vitin e ardhshëm, për të ndihmuar në çdo fazë të zinxhirit të prodhimit. Kjo do të na ndihmojë të zgjidhim problemet afatmesme dhe afatgjate.
Rrapaj u shpreh që objektivi kryesor është krijimi i një marke shqiptare që përfaqëson produktin sa më mirë në tregjet e huaja