Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar rastin e parë të influencës aviare të tipit H5N8. Rasti është konfirmuar në një fermë në Durrës, që mbarështojnë shpendë.
Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se nga hetimi epidemiologjik deri më sot flitet për raste të izoluara.
“Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave. Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës. Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8. Hetimi epidemiologjik deri më sot flet për rast të izoluar. Ndërsa është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjenës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre. Është ngritur pranë Ministrisë, Qendra Kombëtare e Manaxhimit të Situatës si dhe është vendosur në zbatim plani i masave mbrojtëse kufizuese në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE). Fermat dhe stabilimentet që mund të vërejnë problematika mund të njoftojnë Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë në numrin jeshil 0800 3366.
Më tej, ministria sugjeron që “ushqimet e mishit të shpendëve të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara”.
“Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor. Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
klan