Ministria e Bujqësisë parashikon që nga sezoni i ri i korrjeve të përfitohen 225 mijë tonë grurë, e njëjtë me kuotën e vitit të kaluar që mbulon 50% të nevojës së popullatës, kryesisht të zonave rurale. Fabrikat e blojës nuk kryejnë furnizime nga tregu vendas, pasi mungon cilësia e grurit dhe fermerët nuk janë në gjendje t’u garantojnë sasi. Importuesit presin që çmimet e grurit në tregjet e huaja të arrijnë mbi 490 USD/tonë, për shkak të thatësirës dhe bllokimit të eksporteve të Rusisë. Vështirësi do të ketë edhe në furnizime, shkruan Dorina Azo e Monitor.

Josif Silo, fermeri 60-vjeçar nga fshati Potgozhan i zonës së Mokrës së Poshtme, këtë vit ka mbjellë 5 dynymë grurë. Josifi pohon se prodhimi duket i mirë dhe parashikon të përfitojë 3 kv grurë.

Nga bluarja e grurit pret që 70% të sasisë ta përfitojë miell për konsum të bukës të përditshme, kurse himet e mbetura iu hidhen kafshëve. Ai thotë se e ka të pamundur të mbjellë më shumë toka me grurë, pasi kostot janë shtuar nga dyfishimi i çmimeve të nitratit, uresë dhe karburantit, ndërsa në fshat mungon fuqia punëtore.

Reshjet e shiut që ranë në muajin qershor ndihmuan të mbjellat e grurit. Nëse moti deri në korrik, kur do të nisë sezoni i korrjes, do të jetë i qëndrueshëm, prodhimi pritet i mirë.

Krahasuar me vjet rendimenti do të jetë më i ulët. Grurit i nevojiten domosdoshmërisht t’i hedhësh dy herë nitrat dhe ure. E kam përdorur vetëm një herë nitratin, pasi e kishim të pamundur të përballonim çmimin e lartë. Vjet, çmimi i nitratit ishte 2,000 – 5,000 lekë/kv, këtë vit arriti 10,000 lekë. Shqetësim është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Në fshat nuk gjen më të rinj të punojnë tokën.

Janë larguar të gjithë në emigracion ose jetojnë në qytet. Për këto arsye, ne e kemi të pamundur të zgjerojmë prodhimin. Prej vitesh, që kur djemtë janë larguar për të jetuar në Tiranë, mbjellim grurë vetëm për konsumimin e familjes. Nuk arrijmë të përballojmë më tepër të mbjella”.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021, sipërfaqja e kultivuar me grurë në vendin tonë është 54,514 hektarë, me një prodhim prej 225,171 tonë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për “Monitor” se sasia e prodhuar e grurit mbulon me rreth 50% kërkesën e vendit. Problematikat e hasura ndër vite, si parcelizimi i tokës dhe veçanërisht çmimi i ulët i grurit kanë penguar zhvillimin e ekonomisë së shkallës në mbjelljen e kulturës bujqësore.

Problematika kryesore është çmimi i ulët i grurit. Duke qenë se mbillen sipërfaqe të vogla nga fermerët, kostoja e mbjelljes së grurit shkon shumë e lartë. Për këtë vit, kemi një avantazh, pasi janë rritur fermat e mëdha, të cilat kanë fermerë me njësi të mekanizuar, të cilat kanë rritur sipërfaqet e mbjella së grurit nga 10-100 hektarë. Për vitin 2022, nga kontaktet e deritanishme me fermerët, rezulton se të korrat do të jenë të mbara, rendimenti do të jetë më i lartë, mendojmë se do të ruajmë të njëjtat kuota”.

Parcelizimi i tokës bujqësore, mungesa e kanaleve ujitëse dhe kostot e larta të prodhimit, edhe për importuesit konsiderohen faktorët kryesorë për prodhim të ulët të drithërave në Shqipëri. Sipas tyre, fermerët shqiptarë prodhojnë sasi gruri vetën për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa fabrikat e blojës nuk furnizohen me grurin vendas.

“Këtë vit, për shkak të temperaturave të larta dhe shtrenjtimit të inputeve bujqësore, parashikohet që edhe të korrat vendase të jenë me rënie. Pavarësisht sasisë së grurit që mbillet në vend, prodhimi është i rëndësishëm, pasi përdoret për nevojat e vetë fermerëve dhe të banorëve të zonave rurale.

Fabrikat e blojës nuk furnizohen me grurë vendas, pasi nuk ka sasi dhe cilësi të mirë prodhimi”, theksoi për “Monitor”, z. Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë së miellit “Primo”.

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, nënvizon se vlerësimet kanë gjetur se vetëm 50% e tokës bujqësore përdoret si tokë e punueshme ose 603,000 hektarë, nga të cilat 413,000 ha janë zona të mbjella dhe pjesa tjetër, përgjithësisht është e lirë.

“Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga të cilat 699,000 ha, ose 24%, janë tokë bujqësore (duke përjashtuar kullotat), 36% pyje, 16% kullota të përhershme dhe 24% të tjera. Rreth 43,3% e tokës bujqësore ndodhet në zonat fushore, 34% në zonë kodrinore, 22,7% në rajonet malore. Toka bujqësore e vendosur mbi 300 metra mbi nivelin e detit është shumë e copëzuar, me mungesë aksesi në ujitje dhe nën kërcënimin e përhershëm të erozionit.

Madhësia e fermave është jashtëzakonisht e vogël, me rreth 1-1.5 hektarë tokë bujqësore. Në kontekstin e krizave të pandemisë dhe luftës që po kalojmë dhe në kuadrin e një krize të mundshme ushqimi që po troket, është e nevojshme që Shqipëria të mendojë për të rritur kultivimin e drithërave për të plotësuar të paktën 50% të nevojave për drithë.

Duke ditur që konsumi është ulur për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës dhe zvogëlimit të popullsisë, është plotësisht e mundur. Në fushën e Korçës dhe atë të Tërbufit, ka sipërfaqe dhe mundësi për të bërë disa ferma optimale dhe konkurruese. Duhen subvencionuar disa sipërmarrës për blerje toke dhe mekanike bujqësore bashkëkohore.

Ka edhe mundësi të prodhimit ekstensiv, por duhen subvencionuar fermerët e vegjël për njësi prodhimi. Është emergjencë dhe domosdoshmëri që të investohet në këto kultura bujqësore. Sivjet, parashikohet që gruri vendas të mblidhet me 50 lekë/kg. Çmimi është pothuajse nën kosto. Po të llogarisësh çmimet në bursë, mendoj se ia vlen të investohet në këtë fushë.

Është e domosdoshme të përcaktohen kuota për grumbulluesit që të marrin nga prodhimi vendas, sepse garanton sigurinë ushqimore që në kontekstin e krizës globale, përkthehet në siguri kombëtare”, nënvizon ai.

Strategjia e Bujqësisë për të ndihmuar prodhimin vendas

Pas muajit korrik, në tregjet e huaja pritet të ketë shtrenjtim tjetër të grurit, përtej vlerës prej 490 USD/ton që po blihet aktualisht nga importuesit. 2022-shi do të jetë viti i dytë radhazi ku prodhimi botëror i grurit do të hyjë drejt rënies së lartë.

Tkurrja e prodhimit do të shkaktohet nga kufizimet e eksporteve nga lufta Rusi-Ukrainë dhe temperaturat ekstreme të të nxehtit që po dëmtojnë të korrat. Për këtë arsye, shtetet në mbarë botën janë rreshtuar në radhë për blerjen e grurit të ri.

Ministria e Bujqësisë thotë se për vitin e ardhshëm do të zhvillojë strategji të reja, krahas naftës falas dhe mbështetjes nga skemat, të cilat do t’u vijnë më shumë në ndihmë fermerëve.

“Situata e grurit në botë tashmë është e njohur. Ne u kemi ardhur në ndihmë fermerëve, duke u rimbursuar naftën. Mbi 200,000 fermerë kanë përfituar naftën falas për vitin 2022. Mbështetje gjithashtu kanë marrë nga skemat e IPARD me mekanikët bujqësorë, duke përfituar 50-55% grant për mekanizmat bujqësore.

Të gjitha kompanitë që importojnë grurë kanë lidhur kontratat me kompanitë dhe vazhdojnë normalisht furnizimin. Sipërfaqja e mbjellë me misër është rreth 58,000 ha, dhe në krahasim me vitet e tjera është rritur me rreth 5%. Sasia totale e prodhuar në vend është 400,000 tonë, ndërsa importojmë rreth 100,000 tonë. Edhe për misrin, situata duket e mbarë, nga kontaktet me fermerët”, nënvizon Ministria e Bujqësisë.

Rusia, një nga furnizuesit kryesorë me drithëra në botë, konsiderohet faktor i rëndësishëm në zinxhirin furnizues të grurit dhe miellit edhe për tregun shqiptar.

Për shkak të luftës dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për 4-mujorin e 2022 është rritur pesha e importit të drithërave që vijnë nga Serbia, duke zënë 47% të tyre. Drithërat e importuara nga Rusia zënë 25% të totalit të importeve të 4-mujorit, duke shënuar rënie krahasuar me vjet dhe 28% zënë vendet e tjera.

Në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, pesha e importeve nga Rusia dhe Serbia zë 84% të totalit të të hyrave me drithëra (secila 42%). Në total, në Shqipëri, në vitin 2021 u importuan rreth 326 mijë tonë drithëra. Importet krahasuar me vitin 2020 ishin 12% më pak. Në 2020-n, importet shënuan rritje për shkak të rezervave të krijuara nga grosistët, të ndikuar nga karantina 3-mujore dhe kufizimet e ekonomisë që zbatuan shumë shtete për shkak të pandemisë.

Grosistët thonë se aktualisht nuk po përballen me probleme me importet e grurit. Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë “Primo”, paralajmëron se kjo periudhë qetësie do të përfundojë shumë shpejt, pasi me mbylljen e sezonit të të korrave, çmimi i grurit për muajt shtator dhe dhjetor do të ketë rritje të lartë. Ai nënvizon se këta muaj do të përcaktojnë ecurinë e furnizimeve.

“Situata nuk pritet të jetë e mirë. Muajt para fillimit të sezonit të korrjes së grurit janë periudhë qetësie para stuhisë. Fillimi i sezonit të korrjes do të tregojë më qartë situatën e prodhimit, por parashikimet nuk janë pozitive. Do të ketë kufizim të furnizimeve. Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë, prodhimi i grurit ra 25 mln tonë në raport me prodhimin e 2019-2020.