Kosova ka shpërndarë lejeqëndrimet e para me afat pesëvjeçar për shtetasit e Shqipërisë.

Shpërndarjen e lejeqëndrimeve të para e njofton Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Deri më tani lejeqëndrimet kishin kohëzgjatje një vit.

Siç njofton ministria, shpërndarjen e lejeqëndrimeve e ka bërë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.

“Kjo marrëveshje u nënshkrua me vullnetin e përbashkët për sigurimin e një perspektive më të mirë për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të thjeshtësuar procedurat dhe lehtësuar jetën e shtetasve të të dy vendeve. Në bazë të marrëveshjes dypalëshe ndërkombëtare me Republikën e Shqipërisë, për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqendrimit të përkohshëm e nënshkruar me datë 26.11.2021 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan, sot janë shpërndarë lejeqëndrimet e para me afat pesë vjeçar në Republikën e Kosovë”, thuhet në njoftim.

Deri më tani lejeqëndrimi vlente për një vit, ndërsa nga sot kohëzgjatja e tij është pesë vite.

“Me këtë marrëveshje, shtetasit e dy vendeve përfitojnë lejeqëndrimin e përkohshëm me afat pesëvjeçar (deri tani ishte me afat njëvjeçar ku shtetasit duhej të ri aplikonin për çdo vit) dhe kanë lehtësim të theksuar të kritereve për pajisje me lejeqëndrim, me vetëm një dokument udhëtimi dhe deklarim adrese, ulje të theksuar të tarifave të shërbimeve”, thuhet tutje në njoftim.

Lehtësimi i procedurave të lejeve të qëndrimit dhe njohja e sigurimeve shoqërore për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë dy marrëveshjet e firmosura në mbledhjen e përbashkët të 2 qeverive. Marrëveshje jo pak e rëndësishme është marrëveshja që mundëson lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të të dyja vendeve, për të lëvizur lirisht jo vetëm në pikat kufitare.

“Pra do të krijohet një etnitet territorial-administrativ, i njëjtë 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës ku shtetasit në të dy anët do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas përkatësisht të të dy shteteve.

Këtu përfitimi nuk është i vogël, janë rreth 300 mijë banorë, që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky lehtësim. Do të thotë që mund të ndjekë lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojë të punojë në të dy anët e kufirit, pa pasur nevojë për asnjë dokument, për asnjë leje, pra me një qarkullim krejtësisht të lirshëm. Mendoj se kemi sjellë një paketë që ka krijuar një mjedis krejt tjetër, për sa i takon lirisë dhe trajtimit të të dy vendeve, si një vend unik, pa pasur nevojë për burokracira shtesë, që krijohen nga fakti që jemi dy shtete të ndryshme”, ka thënë ministri Bledi Çuçi më herët.

Ky hap është cilësuar si i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve.

/abcnews.al