Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka dhënë një prononcim për emisionin “Opinion” në lidhje me thirrjen për qytetarët shqiptarë në rast të një konflikti të mundshëm në Ukrainë.

Gjatë fjalës së saj nga New York-u, aty ku ndodhet së bashku me kryeministrin Edi Rama për një vizitë zyrtare, ministrja Xhaçka e cilëson situatën shqetësuese.

Ajo tha se thirrja e Ministrisë së Jashtme është marrë sepse në rast se ka luftë do të ishte shumë e vështirë që t’u shkohet në ndihmë apo të largohen qytetarët shqiptarë në Ukrainë.

“Të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike deri më tani nuk kanë dhënë rezultat. Bëhet fjalë për një situatë sa fluide aq edhe të paparashikueshme. Ashtu edhe si aleatët e tjerë në NATO apo në BE shpresojmë që nuk do të ketë luftë, por lufta është një mundësi reale.

Është kjo arsyeja pse ashtu si edhe në vende të tjera u kemi bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që janë në Ukrainë apo udhëtojnë drejt Ukrainës që të largohen që andej sa më parë, apo që të mos ndërmarrin ndonjë udhëtim drejt atij vendi.

Kjo është një thirrje e motivuar nga kujdesi dhe meraku që kemi për qytetarët shqiptarë  pasi në rast se vërtetohet skenari më i keq, ai i luftës, do ishte shumë e vështirë për ne që t’u vinim në ndihmë apo t’i mbështesnim për t’i larguar nga Ukraina”, tha Xhaçka.