Bankat shqiptare po përdorin kreditë e përbashkëta, si një instrument për të mbështetur projekte në vlera të mëdha dhe për të ndarë rrezikun mes tyre. Sektorë si ndërtimi dhe projektet e infrastrukturës mund të kenë potenciale të rëndësishme për t’u kredituar në mënyrë të përbashkët.
Në muajin gusht 2021, tri banka tregtare shqiptare njoftuan se kanë financuar një kredi të përbashkët (sindikale) prej 26 milionë eurosh për shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogora”.
Tri bankat financuese të projektit ishin Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank. Kredia u miratua që në muajin mars 2021, ndërsa disbursimet kanë nisur muajt e fundit të 2021. Ajo do të ketë afat maturimi 10-vjeçar dhe një normë minimale interesi prej 6% në vit.
Kjo është kredia më e madhe e dhënë nga sektori bankar shqiptar për një subjekt në dy vitet e fundit. Më herët, në muajin qershor, Banka OTP Albania u angazhua në një tjetër kredi të përbashkët, por këtë herë në partneritet me dy banka të huaja të grupit të saj, Banka OTP Hungari dhe Banka DSK Bullgari (pjesë e OTP Group).
Në vitin 2019, konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) mori një kredi prej 48.5 milionë eurosh te First Investment Bank Bullgari, që mbuloi pjesën më të madhe të çmimit të blerjes prej 50 milionë eurosh të Telekom Albania (sot ONE). Pjesa e mbetur prej rreth 37 milionë eurosh është rifinancuar në një kredi të re, me afat maturimi 10-vjeçar, nga bankat e grupit hungarez OTP. Sipas burimeve nga banka, pjesa e financuar nga OTP Albania në kredinë e përbashkët ishte rreth 13 milionë euro.
Kreditë sindikale, rreth një dekadë histori
Kredia e parë sindikale, e ndarë nga bankat shqiptare dhe njëkohësisht një ndër kreditë më të mëdha deri më sot në sektorin bankar shqiptar, është ajo e dhënë në vitin 2010, për kompaninë e telefonisë celulare, Plus Communication. Deri atëherë, kishte pasur raste sporadike të bashkëfinancimit mes bankave, por jo kredi sindikale të mirëfillta.
Huaja për Plus kishte vlerën totale të 35 milionë eurove, me kontribuues kryesor Raiffeisen Bank Shqipëri, me 25 milionë euro, Tirana Banka, me 5 milionë euro, Intesa Sanpaolo Bank Albania me 3 milionë euro dhe Union Bank, me 2 milionë euro.
Megjithëse kompania Plus e mbylli aktivitetin në fund të vitit 2017, sidoqoftë bankat nuk pësuan humbje, sepse kredia sindikale ishte rifinancuar nga aksionerët e Plus, duke nënshkruar obligacione të emetuara enkas për këtë qëllim nga kompania.