Qytetarët rizbresin në shesh para Kryeministrisë për të protestuar kundër krizës së çmimeve dhe aferave korruptive ku është përfshirë qeveria.
Por, këtë herë mobilizimi është më i madhi, pasi nuk do të jenë vetëm qytetarët me vullnetin e shoqërisë civile, por po organizohet edhe nga Partia Demokratike. Protesta erdhi pas disa takimeve që lideri demokrat Sali Berisha bëri me shoqërinë civile dhe me kryetarët e degëve të sapozgjedhur të PD-së, të cilët i kërkuan që të mobilizoheshin për të protestuar pasi shqetësimi i shqiptarëve që çdo ditë po përballen me rritje të çmimeve është i lartë. Berisha iu përgjigj pozitivisht kërkesës së kryetarëve të degëve dhe thirri protestë kombëtare sot poshtë zyrës së Kryeministrisë në orën 19:00.
Thirrjes së bërë nga Sali Berisha për të protestuar kundër arrogancës së qeverisë i është përgjigjur pozitivisht edhe shoqëria civile dhe aleatët e Partisë Demokratike. Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së, takoi dy ditë më parë kryetarët e degëve për mobilizim për protestën, ndërkohë që edhe Agron Duka i PPA-së e Fatmir Mediu i PR-së kanë konfirmuar se do të dalin në shesh. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste tha se ai i bën thirrje mbështetësve të tij për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të produkteve dhe nënprodukteve bujqësore. Ndërkohë që qytetarët do të kërkojnë nga qeveria që të ulë çmimin e naftës dhe të ushqimeve bazë. Në fakt, qeveria reflektoi pas protestës së shoqërisë civile pak muaj më parë, por rezultoi që ngritja e bordeve nuk ndikoi në uljen e çmimeve, por e kundërta. Kështu që qytetarët kanë lajmëruar sërish daljen në shesh kundër çmimeve të larta.
Ndërkohë, një tjetër objektiv i shpallur për protestën është kundër korrupsionit që sipas organizatave ndërkombëtare, por edhe të denoncimeve të fundit është përhapur në çdo qelizë të qeverisë dhe administratës shtetërore. Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar ditët e fundit krimin ekonomik të bërë me kompani guaskë që kap vlerën e 189 milionë euro. Kompani të regjistruara në emër të pensionistëve kanë lëshuar fatura fiktive në vlerën e miliona dollarëve. Ndërkaq, denoncime të shumta ka pasur së fundmi edhe për tenderët që nisin me një vlerë të caktuar me proces të dyshuar, por afera trashet gjatë rrugës ku tenderët fryhen në mënyrë drastike pa asnjë procedurë gare.
Rasti i fundit ishte aksi Kardhiq-Delvinë që nisi me vlerën 50 milionë euro e përfundoi me vlerën 108 milionë euro. Sakaq, Partia Demokratike ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën e sotme nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00