Nga Arian Samarxhiu

Pas 30 vjetesh, nëse jemi për sistem demokratik, duhet ta ndajmë mendjen, duhet rrëzuar kasta e hajdutëve.
Në 30 vjet, nga rrëzimi i regjimit komunist, jo vetëm nuk erdhi demokracia dhe Europa në Shqipëri, por u larguan dhe vazhdojnë të largohen shqiptarët dhe Shqipëria ngjan si vend afro-aziatik, me një regjim hibrid demokratik, kleptokratik, që na ka lënë botë e tretë.

Problematikat janë aq të mëdha, të thella e të gangrenizuara, saqë ka vdekur shpresa. Përfundimisht është vrarë shpresa këtij populli, ku të ardhmen e tij e sheh vetëm tek largimi nga Shqipëria.
Nëse do mundoheshin të hiqnim një paralele se kush e ka vjedhur më shumë Shqipërinë nga kjo klasë politike, e majtë apo e djathtë, ose të dyja se bashku,vështirë se do të binim dakort, prej ndasive politike.

Por dëmin më të madh ja ka bërë vetë populli që i ka lejuar këta hajdutë me imunitet dhe larot e tyre.
Dëmi më i madh ka ardhur nga heshtja e të ndershmëve, të drejtëve, që udhërrëfyes i tyre ka qënë frika.
Dëmi tjetër nga mendjet e ngushta, të cilat kanë përfituar diçka të vogël që kanë gënjyer veten.
Dëmi tjetër ka ardhur nga hajdutët ordinerë, nga grykësit,ku babëzia e tyre ka përpirë e gllabëruar çdo gjë në këtë vend.
Po fundja, nga ky popull kanë dalë dhe këta politikanë, nuk i kemi importuar.

Tani duhet t’i thërrasim mendjes se do na denojnë brezat. Të ndershmit e të drejtët duhet të flasin.
Në të gjitha qeveritë 30 vjecare kemi pas politikanë dhe individë që si qëllim kanë pasur fitimin e parasë në mënyrë korruptive. Kanë qenë dhe janë njerëz që kanë luftuar e luftojnë për të hipur në pushtet vetëm për pasuri vetiake. Kanë ushtruar e ushtrojnë pushtet të pakufishëm duke drejtuar rrugët e investimeve direkt në xhepat e tyre. Ja kanë dalë të pasurohen aq shumë, sa i duket sikur kanë siguruar jetën, dhe drejtohen plot delir në ngrysjen e ditëve të tyre që i duken pa mbarim.

I shohim të na drejtohen neve me një arrogancë të paskrupullt, hiqen si krijesa supreme.
Kujtohen këto cilësi tek të gjitha qeveritë 30 vjecare. Por, ka një ndryshim nga këta sot. Ata të më perparshmit kanë qenë të limituar në dy mandate kurse këta sot e liruan litarin.
Aq shumë është liruar ky litar sa qeveria ka ngelur pa ide, pa punë, pa program.Dhe kjo që them u pa në zgjedhjet e një viti më parë(pa program).

Ne vazhdojmë të qeverisemi akoma me po të njëjtët njerëz që thurin programe për pasurim të xhepit të tyre, programe për mbrojtjen e xhepit të tyre, dhe program për të shtyrë ditën dhe mos të mërziten.
Lind pyetja e thjeshtë:
A e kuptoni që duhet një alternativë?
A e ndjeni të nevojshme të mbështesni të tjerë?
A e ndjeni që duhet ta pështyni në surrat këtë klasë politike 30 vjeçare?!
Madje edhe nëse e godisni nuk bëni fare keq…