Ministër, lëre “bujkun dixhital”. Shko jep llogari në Kuvend për hallet e fermerëve

Ndërsa fermerët përballen me probleme në treg, ndërsa deputetët presin përgjigje për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore, plehrat kimike dhe kontrollin veterinar, ministri i Bujqësisë Andis Salla po kthehet në një nga figurat më të padukshme të qeverisë në Kuvend.

Kritikat tashmë nuk vijnë nga opozita, por nga vetë mazhoranca, ku deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur disa herë shqetësimin se ministri po i shmanget llogaridhënies parlamentare.

Në vetëm pak javë, Braçe ka denoncuar mungesën e ministrit në interpelanca, moskthimin e përgjigjeve për kërkesa zyrtare informacioni dhe mungesën e reagimit ndaj problemeve të ngritura nga fermerët.

Sot, nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist e ngriti sërish çështjen, duke deklaruar se nuk po arrin të marrë asnjë përgjigje për një problem që sipas tij prek drejtpërdrejt prodhimin bujqësor.

Unë e kërkoj shumë ministrin e Bujqësisë, por nuk e gjej. Cili është shqetësimi? Të hënën e kaluar, unë dhe disa bujq i çuam shkresë zyrtare nga Kuvendi në drejtim të drejtorisë së AKU-së, sollëm në vëmendje faktin që prej muajsh në treg po shitet ure me përqindje azoti shumë më të ulët se ajo e lejuara. Është një fertilizant i domosdoshëm për drithërat. Nuk kam marrë asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë”, tha Braçe.

Nuk është hera e parë që deputeti socialist përplaset publikisht me ministrin. Më 14 maj ai kishte kërkuar një interpelancë për trajtimin e kafshëve të braktisura, por në sallën e Kuvendit nuk u paraqit ministri i Bujqësisë. Në vend të tij ishte ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.

Reagimi i Braçes ishte i ashpër: “Është mungesë e thellë respekti ndaj Kuvendit. Një mungesë respekti që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar, jo thjesht për të mos bërë punën”.

Deputeti socialist e konsideroi të papranueshme që një ministër të zgjedhë vetë nëse do të paraqitet apo jo për t’u përballur me pyetjet e deputetëve.

Nuk mund të përcaktojë një ministër nëse do e bëjë ai apo një ministër tjetër interpelancën time me të. Nuk mund ta përcaktojë as zyra e përgatitjes plenare”, tha Braçe.

Pak ditë më parë, më 7 maj, ai kishte ngritur një tjetër alarm, duke denoncuar se institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë nuk po u përgjigjeshin kërkesave të Kuvendit.

Kam marrë dy përgjigje prej tyre, një prej agjencisë e cila thotë ‘nuk është kompetencë e imja të kthej përgjigje’ dhe një nga ministri që thotë ‘nuk dua të bëj interpelancë me ty se nuk e kam kompetencë’. Unë e kuptoj që ka njerëz edhe në qeveri që nuk duan të bëjnë punën e tyre. Unë jam këtu për të bërë punën time”, deklaroi Braçe.

Por në vend që të japë llogari para deputetëve të zgjedhur dhe njëkohësisht para qytetarëve, ministri ka pasur një angazhim madhor sot. Pasi një nga paraardhëset e tij e ndriti me Akademinë e Barinjve, Salla prezantoi “Yllin”, asistentin virtual të fermerëve shqiptarë të krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Ndonëse fermerët protestojnë përditë, blegtorët derdhin qumështin dhe ankohen se Lufra dhe Erzeni ua blejnë për “5 pare”, të tjerëve u bllokohen produktet në doganë. Ministri, në vend që të japë llogari, shmang interpelancat dhe merret me shpikje “alla shqiptarçe”, vetëm e vetëm për të larguar vëmendjen nga problemet reale të sektorit. /Pamfleti

GEAM Sh.p.k