Dy ndeshjet më të rëndësishme të mbrëmjes së sotme ishin Spanjë-Suedi dhe Portugali-Serbi, të cilat kanë vendosur dy ekipet që presin biletën e Botërorit dhe dy të tjerat që shkojnë në “Play-Off”.

Spanja ka siguruar praninë në Botërorin 2022, duke siguruar një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Suedisë e dërguar këtë të fundit në “Play-Off”.

Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Alvaro Moratta në minutën e 86-të.

Ndërsa drama e mbrëmjes ka qenë në Portugali, ku vendasit janë mposhtur me përmbysje me gol në minutën e fundit nga Serbia, që i ka “vjedhur” Ronaldos vendin në Botëror.

Ndërkohë që tekniku i Portugalisë ka pranuar fajin pas ndeshjes, por ka garantuar tifozët se kombëtarja e tyre do të jetë pjesë e Botërorit.

“Nuk ishte mirë. Dukej se do të ishte ndeshje e mire, por nuk ishte. Ne shënuam golin, patëm momentet fillestare. Por më pas filluam t’i lëmë shumë linjat. Filluam të përjetonim vështirësi në arritjen e kundërshtarit. Lojtarët u përpoqën. Por më pas ne nuk e ndezëm lojën. Sa herë e bënim, krijonim probleme. Por shumicën e herëve nuk mundëm. A është përgjegjësia ime? Unë nuk e di.”

Loja: “Ajo që u thashë lojtarëve ishte se ata mbroheshin mirë, por kur ne kishim topin ne duhej të krijonim më shumë. Ndoshta nuk munda ta përcillja mesazhin. Në pjesën e parë shpjegova se çfarë po ndodhte në lojë. Loja u bë më e ekuilibruar. Nuk kishte aq shumë vështirësi. Krijuam dy ose tre situata goli”.

Kundërshtari: “Serbia ishte më e mirë. Ne u përpoqëm. ADN-ja jonë është të mbajmë topin në këmbë dhe të luajmë. Bernardo Silva donte topin, por ai ishte i vetem. Luajtëm me frikë dhe ankth. Është përgjegjësia ime.”

Play-off: “Gjithmonë morali lart. Ne do të jemi në Katar. Ne e dimë se nuk bëmë atë që duhej, por do të jemi atje. Ne kemi luajtur gjithmonë për të fituar dhe kemi menduar për momentin sulmues. Por nuk del gjithmonë ashtu siç duam. Dhe kjo është përgjegjësia ime.”