Kamera e Fiks fare ka zbuluar sesi prodhohet dhe riciklohet akullorja, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Duke qenë se ky është një produkt që konsumohet shumë në ditët e verës, gazetarët mblodhën fakte tronditëse për atë ç’ka konsumohet nga qytetarët. Akullorja e përftuar nga qumështi është e ndjeshme ndaj temperaturave të larta, ndaj edhe ruajtja e saj është një problem më vete. Po si ruhet ajo nga tregtarët? Në bisedat me prodhues të akullores, por edhe të shitësve në pika të ndryshme në kryeqytet, kuptohet se tregtarët e akullores në Tiranë e riciklojnë akulloren e mbetur nga prodhimi i disa ditëve më parë, akullore e cila nuk duhet të konsumohet, pasi është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Nuk ka rëndësi se kur është prodhuar akullorja , nëse mbetet pa shitur ajo ripërpunohet për t’u hedhur sërisht në treg. Në bisedat me shitësit e akullores kuptohet se tregtarët në Tiranë e mbajnë akulloren për një kohë tepër të gjatë në vitrinë, edhe pse baza e saj përbëhet nga qumështi dhe veza, dy produkte të ndjeshme ndaj temperaturave të larta të cilat çojnë në helmim.

Tregtarët pohojnë se ata mund t’i mbajnë nga një javë deri në një muaj në vasketa dhe nëse shohin që përbërja apo ngjyra e saj ndryshon, ata e shtojnë, ose e “rregullojnë”, në mënyrë që të mos kuptohet nga klienti. Janë të shumta pamjet që tregojnë akullore të shkrira, si pasojë e zhvendosjes nga frigoriferi i ngrirjes tek ai i vitrinës. Madje njëra nga shitëset e pyetura shprehet: “ Kisha harruar frigoriferin fikur mbrëmë, prandaj janë si të shkrira. Po nuk kanë problem për konsumim. Nëse nuk më shiten për dy ditë kështu, do t’i hedh pastaj”.

living