Në mjedis tejet mikpritës dhe nën veshjen e flamujve të festës, Gjinari sot kremtoi 78 vjetorin e krijimit të Brigadës XVII Sulmuese.
Më 26 shtator 1944, kjo trevë atdhetare, krijoi kushtet për formimin e kësaj brigade partizane.
Në këtë brigadë u përfshinë: Batalioni Partizan Dumre-Darsi, Batalioni Vërçë-Sulovë, Batalioni i Bërzeshtës, Batalioni i Shpatit, i Polisit dhe forcat vullnetare të Zaranikës.
Shtabi i Përgjithshëm i Brigadës XVII Sulmuese përbëhej nga: Ngjeli Argjiri komandant, Qamil Guranjaku komisar politik, Ndreçi Plasari nënkomisar politik, Sefedin Meçe nënkomandant, Nebi Agolli përgjegjës i rinisë, Shaqir Tabaku intendent. Brigada kushte të inkuadruar edhe luftëtare si Jolanda Xhvani, Alipi Dede, Ikbal Bylyku etj. Brigada përbëhej nga katër batalione. Batalioni I me komandant Petrit Hakani dhe komisar Llambi Peçini, Batalioni II me komandant Sami Leka dhe komisar Beqir Dervina, Batalioni III me komandant Venemin Hazizi dhe komisar Kadri Abdihoxha, Batalioni IV me komandant Muharrem Çota dhe komisar Niko Dilo.
Brigada veç luftimeve të ndryshme, mbajti peshën kryesore në Luftën e Krrabës, një nga betejat më të forta gjatë LANÇ jo vetëm në qarkun e Elbasanit, por dhe mbarë vendin.
Për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme në historinë kombëtare gjatë LANÇ, ishin të pranishëm përfaqësues të Njësisë Administrative të Gjinarit, përfaqësues të Pushtetit Vendor Elbasan, nlnkryetarja e Bashkisë zj. Vesa Liço (Llanaj), Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, zj. Desantila Tahiraj, Kryetari i Partisë Socialiste të Elbasanit, z. Ardit Demiri, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, Asim Elezi, Sekretari Gani Hida dhe anëtarë të tjerë të këtij komiteti. Kryetarja e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e Tjerë të Atdheut të Elbasanit, Xhuljeta Graceni me përfaqësues të kryesisë dhe anëtarë të shumtë të kësaj organizate, si dhe përfaqësues të të dy organizatave të Peqinit, Gramshit, Librazhdit dhe Gjinarit.
Ceremoninë e hapi Sekretari i KKV të Shpatit, Venemin Panxhi, e më pas nënkryetari i këtij komiteti për Elbasanin, Bashkim Vindani.
Në nder të Dëshmorëve të kësaj brigade dhe të gjitha familjeve të Dëshmorëve të Elbasanit, fjalën e mbajti kryetarja e OKDA Xhujeta Graceni. Më tej, në fjalën e saj Xhuljeta Graceni përmendi dhe një fakt shumë të rëndësishëm historik, atë të krijimit të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Qarkut të Elbasanit, i mbledhur në datën 27shtator 1944, në të njëjtin vend ku një ditë më parë u përurua Brigada XVII Sulmuese, që njihet gjerësisht edhe si Brigada e Elbasanit.
Përshëndetën veprimtarinë përkujtimore zj. Vesa Liço (Llanaj), e cila theksoi rëndësinë e përkujtimit të datave historike, si dhe mbështetjen e Bashkisë Elbasan për OKDA dhe KKV.
Përshëndeti gjithashtu edhe deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Elbasanin, zj. Desantila Tahiraj, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave.
Pas ceremonisë zyrtare, në nder të kësaj date, dhe për kënaqësi të të pranishmëve, nga Ansambli i gurrës popullore të krahinës së Shpatit, u dha një koncert i pasur artistik me përmbajtje nga tematika e ditës dhe nga folklori i krahinës.
Ky përkujtim i përvitshëm edhe sot shpalosi vlerat e atdhetarisë së pastër, thelloi shpirtin atdhetar dhe nxiti tek brezi i ri, vazhdimësinë e traditës në trashëgiminë historike të krahinës, që njëherazi është pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare. Kujtesa historike është domosdoshmëri e identitetit kombëtar, është rrënja që ushqen gjithçka i përket një krahine, një populli, një kombi!