Javën e kaluar, Ukraina tha se në ambasadat e saj në të gjithë Europën janë dërguar pako “të përgjakshme” disa me sy kafshësh, duke përfshirë ambasadën e saj në Madrid, e cila gjithashtu mori një letër bombë, sipas The Guardian.

“Në dy ditët e fundit, pako të dyshimta janë dërguar në ambasadat në Itali, Poloni, Portugali, Rumani dhe Danimarkë, si dhe në konsullatat në Gdansk.

Në total, janë dërguar 31 pako në 15 vende: Austri (1), Vatikan (1), Danimarkë (1), Spanjë (5), Itali (4), Kazakistan (1), Holandë (1), Poloni (6), Portugali (2), Rumani (2), SHBA (1), Hungari (2), Francë (1), Kroaci (1), Republika Çeke (2)

Sipas Kuleba-s, në të gjitha pakot ishte e shënuar e njejta adresë. Një punonjës i ambasadës ukrainase në Madrid u plagos të mërkurën e kaluar nga një letër bombë , e cila i drejtohej ambasadorit të Ukrainës në Spanjë.

Katër “letër-bombë” të tjera u dërguan në adresa të ndryshme në Spanjë, duke përfshirë një prodhues armësh që ka prodhuar raketa që janë dërguar në Ukrainë, si dhe kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, dhe ambasadës amerikane në Madrid.

I pyetur se kush mendonte se qëndronte pas këtyre veprimeve, Kuleba tha se “ndihet i tunduar të akuzojë Rusinë” pasi ajo po përfiton nga frika midis diplomatëve ukrainas.

Por ministri i jashtëm ukrainas shtoi se mund të jetë edhe dikush që simpatizon Rusinë, kështu që duhet të presë rezultatin e hetimeve.