Pas 2 orësh e 40 minuta, ish-kryeministri Sali Berisha ka lënë ambientet e prokurorisë së Tiranës, ku u mor në pyetje nga drejtuesja e akuzës Elisabeta Imeraj dhe prokurori Elio Mazreku.
Berisha tha para gazetarëve se në datën 8 Janar, në protestën e thirrur prej tij, Lulzim Basha tregoi rastin sesi politika bashkëpunon me krimin, në mbrojtje të posteve dhe karrigeve.
Sipas Berishës, Lulzim Basha ka rënë dakord që në truallin e godinës së PD-së të ndërtohen kulla, dhe për këtë kërkoi që gazetarët të pyesnin dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha tha se në gjykatë kishte dhënë emrat e personave të lidhur me krimin, që u përdorën në 8 Janar për të ruajtur selinë e blinduar nga Basha.
Sali Berisha flet pas dëshmisë në prokurori:
Natyrisht që e kuptoni vetë që i thirrur këtu me urdhër të Meduzës, erdha në respekt të parimeve që jam i mbrujtur. Ajo që dua t’ju them unë është kjo, në deklaratën time theksova se për çdo shqiptar, për çdo mik dhe partner të Shqipërisë, shëmtira më kryesore, akti më i paimagjinueshëm, momenti më kriminal në historinë e 30 viteve, dëshmia më flagrante e lidhjes së politikës me krimin ishte 8 Janari.
Kjo përbën momentin më dramatik, dhe dëshminë më flagrante të narkoshtetit e lidhjes së politikanit me krimin. Më duhet t’ju them se nuk duhet të harroni një moment, që është fakti më flagrant, është se sot njeriu që është shkarkuar nga çdo funksion nga anëtarësia, është simbol i pabesisë politike, simboli më i degraduar i lidhjeve me krimin, së treti mos harroni ju se ky është personi që pazaret personale dhe pasurinë personale ishte i gatshëm të shuante ndërtesën për shkak të kullave që do të ndërtoheshin aty.
Shkoni pyeteni Erion Veliajn, pronarët i kanë thënë atij se janë marrë vesh me Lulzim Bravën. Lul Brava është simbol i politikanit që nuk njeh asnjë princip.
(E.K/Faxweb.al)