Ditën e sotme është finalizuar operacioni i koduar “Otima”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni është  zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Bazuar në informacionet e marra nga terreni se në zonën e Otimës në Selenicë, persona me precedent kriminal kishin kultivuar bimë narkotike, policia vuri në pranga F. Ll., 43 vjeç, banues në Selenicë, me precedent të mëparshëm kriminal, D. B., 54 vjeç, banues në Vlorë dhe E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd.

Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh cannabis sativa në ambientet e banesës së 43-vjeçarit F. Ll. dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të tij, tek vendi i  quajtur “Përroi i Otimës”, Selenicë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash. /abcnews.al/