Fundi i Prillit, Maji dhe Qershori janë muajt e vetëm të vitit për të shijuar Kumbullat Shahine.
Të gjithë i kujtojnë si kumbullat e fëmijërisë dhe secili mban mend me saktësi se sa copë blije me një monedhë.
Kumbullat Shahine janë ato të rrumbullaktat e gjelbra, shpesh të tharta dhe aspak të buta në kafshim që të gjithë ja kujtojmë shijen.
Emri Kumbull Shahine është përcaktim shqiptar, në të vërtetë në botë emri i tyre ‘Janerik’ vjen nga turqishtja e vjetër dhe ka një kuptim të mrekullueshëm.
Janerik do të thotë thjesht Kumbulla e Shpirtit. Ndoshta prandaj nuk e harrojmë dot asnjëherë.
Në disa zona të Shqipërisë, kumbullat shahine përdoren gjerësisht në kuzhinë për përgatitjen e reçelit dhe ëmbëlsirave të ndryshme, ndërkohë që ato kanë gjetur përdorim edhe në mjekësinë popullore.
Frutat e saj të papjekura kanë një shije të thartë ndërsa në kohën e pjekjes ato janë më të ëmbla.
Kumbullat Shahine si fruta janë shumë të dobishme dhe të pranueshme nga stomaku pasi kanë veti shumë të mira tretëse.
Ato janë pastruese të lehta të aparatit tretës, pasurojnë gjakun me elemente të reja dhe luftojnë aneminë. Madje siç raporton AgroWeb.org ato përdoren me sukses kundër sëmundjeve të mëlçisë.
Kumbullat konsumohen të freskëta, por me to përgatitet reçel, marmelatë, shurup, raki, etj.
Kumbullat pëlqehen edhe kur s’kanë arritur pjekurinë e plotë. Ato janë freskuese, shuajnë etjen dhe hapin oreksin.
Kumbulla është një frut diuretik shumë i mirë pasi largon ujërat e tepërta nga organizmi.
Frutat e kumbullës kanë vlera të larta ushqimore. Ato përmbajnë 8-20 për qind sheqer natyral, acide dhe pektinë.
Kumbulla shahine përmban kripëra minerale të kalçiumit, kaliumit, magnezit dhe të hekurit.