Një sërë dhomash avokatie në vend kanë paralajmëruar sërish vijimin e grevës edhe për këtë javë. Kështu, Dhomat e Avokatisë për Qarkun e Gjirokastrës, edhe këtë të hënë do të bojkotojnë në të dyja shkallët e gjyqësorit.

Sipas përfaqësuesit të kësaj dhome, Bernard Aliko, ky vendim u bashkohet vendimeve të dhomave të avokatisë së Shkodrës, Lezhës, Vlorës dhe Korçës, të cilat edhe ata kanë vendosur që avokatët të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore të paralajmëruara për javën që vjen, si masë që ndërmerret për të kundërshtuar riorganizimin e sistemit gjyqësor në vend. Brenda kësaj jave, do të vendoset nëse do të bojkotohen edhe masat e arrestit, të cilat deri më sot kanë qenë nën prezencën e avokateve mbrojtës të klientëve të tyre. Në Qarkun e Gjirokastrës, sipas riorganizimit të ri, do të ngelet vetëm një Gjykatë, ajo e Shkallës së Parë, ndërkohë që shkrihet Gjykata e Faktit në Përmet, Gjykata Administrative dhe Gjykata e Apelit.

BOJKOT EDHE NË LEZHË

Edhe Dhoma e Avokatisë në Lezhë, në një takim të jashtëzakonshëm, ka vendosur që të vazhdojë bojkoti i seanca gjyqësore kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nga ndryshimet e reja të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, Qarkut të Lezhës i shkrihen dy gjykata të Shkallës së Parë, ajo e Krujës dhe Kurbinit. Kreu i kësaj dhome, Elton Laska, shprehu zhgënjimin edhe për deputetët e Qarkut dhe pushtetin vendor për heshtjen e tyre.

“Për mosreagim dhe injorim të këtij bojkoti, Dhoma Vendore e Avokatisë Lezhë ndihet e keqardhur me Grupin e Deputetëve të Qarkut Lezhë, ndihemi të zhgënjyer nga qeverisja vendore si Këshilli Bashkiak, Këshilli i Qarkut, Prefekti apo kryetarëve të bashkive, të cilëve nuk iu dëgjua një gjysmë fjale pro apo kundër shkrirjes së këtyre dy Gjykatave”, tha ai.

Në fund të mbledhjes, Dhoma e Avokatisë Lezhë shpalli bojkot deri më 24 qershor, ndërsa do të bojkotohen masa e sigurisë për dy ditë me radhë, përkatësisht më 21 dhe 22 qershor. Gjithashtu, ata kanë revokuar listat e gatishmërisë së avokatëve për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, Kurbin dhe Krujë, deri në një vendimmarrje tjetër. Madje, ata kanë paralajmëruar edhe një protestë qytetare gjatë së martës në qytetin e Lezhës dhe të mërkurën në qytetin e Laçit. Ndërkohë, Dhoma e Avokatisë në Vlorë tha se do të bojkotojë seanca për datat 21 dhe 22 qershor. Dhoma Kombëtare e Avokatisë njoftoi të premten se nëse Këshilli i Ministrave nuk do të marrë parasysh propozimet e tyre për hartën e re gjyqësore, do të kishte përshkallëzim të situatës dhe bojkot pa afat të proceseve gjyqësore.

ÇFARË SYNON REFORMA

Disa gjykata në vend kanë një numër shumë të vogël prokurorësh dhe gjyqtarësh, bie fjala Gjykata e Tropojës, për shkak të numrit të vogël të dosjeve si pasojë e tkurrjes së numrit të popullsisë. Por kjo nuk është arsyeja kryesore që i diktoi Ministrisë së Drejtësisë të propozonte një hartë të re gjyqësore duke shkurtuar plot 18 gjykata. Përveç gjykatave të shkallës së parë në zona me numër të ulët popullsie, Ministria e Drejtësisë propozoi edhe shkurtimin e pesë gjykatave të apelit, që zakonisht janë në qendra më të mëdha urbane, duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.

Një qytetar i Sarandës apo i Tropojës duhet të udhëtojë me orë të tëra për të marrë pjesë në një seancë. Të njëjtin fat kanë edhe gjykatat administrative, duke shkrirë katër gjykata të tilla e duke lënë vetëm dy, një në Tiranë (që përfshin Veriun) dhe një tjetër në Lushnjë (që përfshin Jugun), ndërsa Apeli Administrativ parashikon vetëm një në Tiranë. Ministri Ulsi Manja ka propozuar që qytetarët ta marrin me postë vendimin e Apelit Administrativ, duke mos u lejuar të marrin pjesë direkt në sallën e gjyqit. Për shkak të boshllëqeve të mëdha që ka krijuar procesi i vetingut në sistemit gjyqësor, duke sjellë mungesë të theksuar gjyqtarësh dhe prokurorësh, Ministria e Drejtësisë propozoi si zgjidhje reduktimin drastik të gjykatave. Harta e re iu dërgua Ministrisë së Drejtësisë më 10 qershor nga KLGJ.