Mijëra njerëz kanë vërshuar në protesta në qytetin Grand Daçi në Luksemburg, pasi qeveria ka vendosur detyrimin për t’u vaksinuar në mënyrë që të përfitojnë shërbime publike dhe të mos gjobiten.

Tubimi ka sjellë prani të shumtë të forcave policore, të cilët kanë kërkuar ndihmë edhe nga policia fqinje e Belgjikës, pasi herën e fundit të një proteste si kjo, situata u përshkallëzua deri në dhunë fizike.

Protestuesit thanë se nuk po shkojnë dot as në punë për shkak se duhet të jenë patjetër të vaksinuar.

“Ata na e bëjnë jetën të vështirë. Mbi të gjitha, ne nuk mund të shkojmë në punë pa u vaksinuar. Jemi këtu për të protestuar në mënyrë paqësore, ky është mesazhi që ne duam të përcjellim”.

Protesta kundër pasaportës së vaksinimit pati edhe në Barcelonë, në Katalonjë.

Qindra protestues marshuan nëpër qytet me pankarta ku shkruhej se Green Pass është diktaturë dhe se qeveria e shëndetësia po i vret.

Një protestues tha se ndihej i diskriminuar, pasi nuk kishte të drejta të barabarta si një i vaksinuar.

“Unë nuk kam të njëjtat liri si një person që është vaksinuar, aktualisht nuk mund të shkoj në lokal, sepse nuk kam pasaportë vaksinimi.”

Shumë të tjerë thanë se është absurde, që të detyrohen të marrin vaksinën Anti-Covid për të bërë një jetë normale.

Pasaporta e vaksinimit në Katalonja është vendosur si kusht për të hyrë në objekte publike që nga tetori i këtij viti