Gazetari Artur Bibe ka dhënë detaje për heqjen e kufizimeve nga Greqia duke thënë se në datën 24 ose 31 maj pritet të hapet kufiri me të gjitha pikat me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.
Në çdo rast kalimi, të vaksinuarit duhet të kenë të printuar vërtetimin e vaksinës nga e-albania dhe të tjerët duhet të kenë test PCR. Ndërsa në datën 14 maj do të bëhet hapja e turizmit ku do të përfshihet lejimi në pikat e kufirit për vendet e Europës.
Sot u urdhëruan drejtoritë e policisë në zonat kufitare që të dërgojnë forca shtesë në këto pika. Ende nuk është vendosur nëse doganat do të punojnë 24 orë apo do të mbyllen në orën 22:00.

Mësohet se lëvizja do të jetë e lirë për të vaksinuarit me çdo vaksinë të aprovuar, por nuk përjashtohet vaksina kineze dhe ruse. Ata që nuk kanë marrë 2 doza të vaksinës duhet të bëjnë test PCR për të kaluar kufirin.
