Ka marrë përgjigje finale dilema e fundit nëse në Tiranë do të ishte Albin Kurti apo Vjosa Osmani, për Samitin e Procesit të Berlinit. Kabineti i kryeministrit të Kosovës kanë konfirmuar, se Albin Kurti ka vendosur të udhëtojë drejtë Tiranës, më 16 tetor, për Samitin e Procesit të Berlinit. Dhe axhendën e ka të qartë.
Nuk dihet ende nëse edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të i përgjigjet pozitivisht ftesës, por kryeministri i Kosovës, e ka të vendosur që të ngre çështjen e sulmit terrorist në veri, më 24 shtator dhe gjithë asaj çka ka pasur në vijim. Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij, Jeton Zulfaj, për “Kosova Press”.
“Kurti në adresimin e tij do të përmend sulmin terrorist në veri. Samiti në kuptimin e atyre që do të arrihen nuk ka çështje të sigurisë, por ajo do të jetë temë diskutimi në këtë samit ose më mirë të themi në çështjen e adresimit që do të bëjnë liderët e rajonit”
Çështja e Kosovës karakterizoi dhe Ministrialin, që u mbatë të premten, më 6 tetor, nën drejtimin e ministrit të jashtëm, Igli Hasani. Këtu ministri i Jahstëm serb Ivica Daçiç pati një takim të tensionuar me homologen gjermane dhe mori konfirmim nga Tirana dhe Brukseli të qëndrimeve kundër Serbisë.
Pritet të shikohet nëse për herë të parë pas 24 shtatorit do të jenë përballe njëri-tjetrit dhe në sy të liderve të BE-së, Kurti dhe Vuçiç.
Ndërkohë, samiti i 16 tetorit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, pikërisht në Tiranë ku përveç liderëve të rajonit do të marrin pjesë dhe liderët kyç të BE-së, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Nismës që synon bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në përafrimin me Bashkimin Evropian, do t’i shtohet edhe një marrëveshje e re. Udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë Hercegovinës dhe nëse konfirmon pjesëmarrjen dhe Serbia, pritet të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e ndërsjellët edhe të katër profesioneve, të fushës së mjekësisë dhe gjithashtu do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën./abcnews.al