Kombëtarja e të amputuarve zhvilloi këtë të diel ndeshjen miqësore ndaj përfaqësueses së të amputuarve të Kosovës. Takimi 50 minutësh, i luajtur në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të kuqezinjve.

Trajneri i Kombëtares së të amputuarve, Luis Emilio Artoni hodhi në fushë këtë formacion: Hasanaj, Çela, Kikija, Leka, Mahmutaj, Kaca, Alla.

Një ndeshje mjaft interesante dhe emocionuese për të dyja skuadrat, me të gjithë futbollistët që e shijuan shumë rikthimin në fushën e gjelbërt. Tre golat për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Artoni u realizuan nga Klajdi Alla, në minutat 16, 32 dhe 34 ndërsa golin e vetëm për Kosovën e shënoi Engjell Haxhikadrija në minutën e 43-të.

Kjo sfidë i shërbeu Kombëtares shqiptare të të amputuarve për t’u përgatitur për turneun e Ligës së Kombeve, që do organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim  me UEFA-n në Skoci në datat 27-29 tetor.

Kombëtarja shqiptare garon në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë, kurse ndeshjet do të luhen në qendrën sportive Dalgety Bay, Fife, Skoci. /FSHF