“Nuk do të ketë asnjë tolerim”. Ky ishte paralajmërimi i fortë i Lulzim Bashës ditën e sotme për Flamur Nokën nëse vazhdon, por edhe të tjerët. Ai tha nga selia blu se “ne nuk mund të mbetemi peng i axhendave personale, sajesave dhe shpifjeve, që duan ta kthejnë PD në një bunker të axhendave personale, të kujtdo qofshin”.
Në mbledhjen e grupit ditën e diel, Lulzim Basha referuar akuzave nga baza, tha se “Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”. Por kush është llumi? Këtë lideri demokrat e sqaroi ditën e sotme.
“Fraza të dala indirekt por edhe këtu nga këto shkallë të PD-së (prononcimi i Flamur Nokës dje) që janë sajesa dhe shpifje i shërbejnë Ramës bëhen për të demoralizuar demokratët. Këta janë llumi i tranzicionit. Ndërrohen qeveritë, këta pasurohen, ju varfëroheni dhe beteja ime është me ata. Këtu kërkohet fokus. A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së PD? Po, një pjesë e kemi pastruar, njerëz që kanë kontrata me inceneratorët, hapin gropa për të pastruar paratë, njerëz që janë të shantazhuar. Që këto para të vendosura me praktika korruptive që i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe të akuzojnë.
PD është shpresa e vetme e këtij vendi. Kushdo që mendon se do ta kthejë PD në bunker të interesave personale apo të ndryshojë orientimin, apo bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes sonë, që një pjesë i kemi pastruar dhe një pjesë kanë mbetur, demokratët i dinë, pazaret që kanë bërë dhe bëjnë me Edi Ramën. Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd që di bjerë me shkelm interesave të demokratëve” tha ai.