Fax News ka zbardhur emrat e grave që u riatdhesuan nga Siria së bashku me fëmijët e tyre të mitur, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur jashtë Shqipërisë.

Burime bëjnë me dije se janë kthyer në Shqipëri shtetaset: Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë.

Për shkak të moshës së mitur të fëmijëve, Faxweb.al ka vendosur që të mos përmendë asnjë prej identiteteve të tyre.

Gratë dhe fëmijët janë dërguar sot në Durrës, ku do të qëndrojnë për disa ditë në karantinë, dhe më pas do të bëhet i gjithë trajtimi i tyre mjekësor dhe psikologjik.

Procesi i rehabilitimit të tyre padyshim nuk do të jetë i lehtë, pasi ferri që ato kanë parë me sy do të duhet kohë që të lihet pas krahëve, pa harruar faktin se një pjesë e tyre, të rriturat kanë ikur me dëshirën e tyre në Siri.

Burrat e grave që u riatdhesuan sot ose janë vrarë, ose gjenden në burgjet e Sirisë, tha shefi i antiterrorit Gledis Nano.

“Jemi duke punuar edhe në atë drejtim. Disa nga personat e identifikuar ndodhen në burg në zonat e Siri verilindore. Një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren. Një pjesë ka dyshime se kanë humbur jetën gjatë luftimeve”, tha Nano.https://www.youtube.com/embed/OjPIE8WsdWE

Sa i takon operacionit, kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Rinasi se ai ishte tejet i vështirë, ndërkohë që dy prej shqiptarëve të kontaktuar dhe identifikuar, nuk pranuan të ktheheshin në atdhe.

Pa përmendur emra, Rama tha se këta dy persona janë pengje të njerëzve në kampe, dhe kanë frikë që të largohen prej aty pa marrë më herët miratim.

Qeveria shqiptare premtoi se do të zhvillojë një tjetër operacion, për kthimin e personave të tjerë që kanë mbetur në kampet fatkeqe të Sirisë. 
fax