Hakerat kanë reaguar në lidhje me sulmin e kryer ndaj sistemit të INSTAT. Ata shprehen se tashmë kanë akses dhe tek të dhënat e Censit të kryer disa muaj më parë në Shqipëri.
Të dhënat janë kopjuar thonë ata dhe statistikat janë kundër jush.
“Instat është fshehtësi më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të GIS-it tuaj dhe të dhënat e Census-it.
Të dhënat gjithashtu janë kopjuar dhe hequr nga serverët. Do ta kthejmë Drejtësinë në Atdheun tonë!
Të gjitha statistikat janë kundër jush”.
Reagimi i INSTAT
Pas këtij njoftimi ka ardhur dhe një reagim nga INSTAT-it i cili njofton shtyrjen e publikimit të statistikave, ndërsa thotë se të dhënat e Censusit nuk janë prekur nga hekurat.
“Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë.
Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë.
INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.
INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it instat.albania@gmail.com dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.
INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT.
INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit”, shprehet INSTAT.