Ndërsa pedagogët pritet të hyjnë në grevë për pagat, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka një lajm për maturantet që kanë mbetur jashtë universiteteve.

“Për të gjithë ata të rinj që duan të regjistrohen në universitete, që plotësojnë kriteret e mesatares së pranimit, por për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të plotësojnë formularin A1/A1Z, apo që duhet të sistemojnë të dhena që u mungojnë, dëshiroj t’ju jap lajmin e mirë se kemi ofruar një mundësi të re. Në këtë raund të fundit të procesit të regjistrimit për vitin akademik 2022-2023, ju ftojmë të plotësoni formularin dhe të zgjidhni një nga programet ku ka ende kuota të lira, në universitete publike dhe jopublike, sipas preferencave tuaja”.

Afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor 2022, ora 8:00-16:00.

“Në të gjitha shkollat e mesme të vendit, stafet tona mësimore do të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju asistuar në këtë proces. Suksese të gjithëve!”