Biznesmeni Gjergj Luca paralajmëron luftë kundër shpifjeve për të në media. Në një video të ndarë në rrjetin e tij social Facebook, Luca thotë se do të luftojë shpifjet ‘deri në Angli’, ndërsa të hënën paralajmëron që do jetë në dyert e SPAK në orën 10:00 për t’u përballur me gjobëvënësit mediatikë.
“Po lexoj një artikull që më tha një mik, nuk e kam zakon t’i shoh se ca shkruhet nga mediat e tallavasë më bën nervoz. Po lexoj një artikull që mua më bën kryetar të një grupi kriminal, pastrues parash, investitor strategjik, për pastrim rivalësh kriminel, ku me gjithë këto poshtërsitë e mia, grabitjet dhe gripin kriminal, është në dijeni SPAK nga një raport i DEAS, FBI etj, etj. Një mori shpifjesh dhe një mori akuzash që me thënë të drejtën ia kam zili vetes kur e shoh në këtë foto se sa burrë i fortë paskam qenë me gjithë këto përballje në jetën time, që pas kësaj jete kriminale që kam bërë të gjej forcë e kurajo të dal para njerëzve e të çirrem e vërteta në ketë jetë del vetëm nga puna”
Madje Luca thotë se ka pyetur ambasadorin anglez në Shqipëri, se përse i lejojnë që gjobvënsit mediatikë të kenë domein edhe në Angli, ndonëse thotë se nuk e ka marrë një përgjigje.
Po çfarë është shkruar për Lucln që e ka trazuar kaq fort dhe nga kush.
Bëhet fjalë për një shkrim të portalit Pamfleti që drejtohet nga Gjergj Zefi. Aty ndër të tjera shkruhet se Luca është shefi i fshehtë i Pëllumb Gjokës, biznesmenit të arrestuar së fundmi bashkë me grupin Bajra dhe drejtues prokurorie e policie, përgjimet e të cilëve i implikojnë në vrasje me pagesë dhe krime të tjera.
“…Drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, duke e përshëndetur për “zgjimin”, po i kujtojmë një raport të përbashkët të DEA, FBI e Agjencisë Anti-Trafik të BE, dërguar Prokurorisë së Përgjithshme e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe publikuar në vitin 2008, ku thuhet:
– Gjatë viteve 1998-2005, në Shqipëri, Ballkan, Turqi e disa vende të BE, një grup i strukturuar kriminal, ka ushtruar veprimtari trafikimi kokaine, femrash e vrasje rivalësh. Grupi përbëhej nga: Gjergj Luca (drejtues), Pëllumb Gjoka, Roland Ziu, Jani Morava, Artur Gjini e Arjan Andoni.
Krerët e grupit Gjergj Luca, Pëllumb Gjoka e Roland Ziu, me të ardhurat nga veprimtaria kriminale, kanë krijuar biznese peshkimi, kazino, restorante, shitje-makinash, aktivitete ndërtimi pallatesh e hoteleri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër.
Mirëpo SPAK, ka arrestuar vetëm Pëllumb Gjokën, një nga “ushtarët” e Gjergj Lucës, të akuzuar për pastrim parash e porositës vrasjesh, por nuk prek shefin e grupit mafioz Gjergj Luca..” – shkruan Gjergj Zefi i Pamfletit.