Është e mundur që kolegët që e rrethojnë të jenë blerë të gjithë te krimi dhe një i vetëm, të rezistojë?
Gazetari Adriatik Doçi mendon që po. Ai ka publikuar një foto ku duket një prokuror i ri në moshë që.quhet Gëzim Spahiu, 27-vjeçar nga Tirana.
Ai përfundoi Shkollën e Magjistraturës dhe u emërua në vitin 2020 prokuror në Prokurorinë e Shkodrës, prokurori e cila (siç edhe konformohen në dosjen Metamorfoza), kontrollohej nga ndërmarrja kriminale Pëllumb Gjoka dhe Bajrat.
Përpos kapjes së disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri komandonin policinë e Shkodrës, madje përdornin drejtuesit e policisë si ushtarë për të përgjuar dhe lokalizuar kundërshtarët e tyre, për të mbuluar krime, nisur apo sabotuar hetime, dekonspiruar aksione policore etj.
Praktikisht, policia dhe pjesërisht prokuroria e Shkodrës ishin pjesë e sindikatës kriminale Gjoka-Bajri.
Shkruan Doçi:
“Magjistratit të ri Gëzim Spahiut i ra një barrë e rëndë: Të hetonte grabitjen e pronave në Velipojë nga Pëllumb Gjoka, i cili ndërkohë organizonte bashkë me Behar Bajrin vrasjen e personave të ndryshëm nga Shkodra deri në Tiranë, të cilët i konsideronin kundërshtarë.
Rreth 400 dynym tokë në Velipojë ishin përvetësuar nga Pëllumb Gjoka me letra false. Nga rikuperimi i bisedave krijohet një panoramë e qartë. Prokurori i ri Gëzim Spahiu është mes ujqërve të krimit dhe korrupsionit.
Magjistrati sabotohet nga kolegët e korruptuar nga Pëllumb Gjoka, sidomos nga prokurori Xhevahir Lita, i cili raporton Gjokës çdo veprim hetimor që ndërmerr kolegu i ri Gëzim Spahiu për dosjen e pronave në Velipojë.
Pëllumb Gjoka informohej se cili do merrej në pyetje, se çfarë ekpertimi do bëhej, kush do t’a bënte etj.
Jo vetëm kaq. Kolegët e Gëzim Spahiut instruktonin Pëllumb Gjokën se çfarë veprimesh duhet të ndërmerrte, çfarë duhet të thonin dëshmitarët, si duhet t’ju përgjigjej pyetjeve etj.
Kolegët e vjetër të korruptuar shanin dhe përgojonin pas shpine Gëzim Spahiun.
Gëzim Spahiu meriton të ekspozohet para publikut si një nga heronjtë e vërtetë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit brenda organit të akuzës, si shembull dhe shpresë. Ai është një SPAK brenda Prokurorisë së Shkodrës”.
n.s. / dita