Argjentinasi Lionel Messi ka vendosur të qëndrojë te Barcelona, ky është lajmi i bujshëm që vjen ditën e sotme nga Spanja.
Verën e kaluar Messi pati një përplasje të fortë me ish-presidentin Bartomeu për sa i përket të ardhmes së argjentinasit. Ai vetë foli për këtë situatë, duke u shprehur se do të rrijë deri në fund të kontratës, verë 2021, vetëm për respekt të tifozëve.
Marca publikoi sot informacionin ekskluziv që është me shumë interes për të gjithë tifozët e Barçës, ku raporton se Messi është afër rinovimit.
“Burime nga Barcelona na sigurojnë që Messi do të qëndrojë në klub”, shkruan Marca.
Siç deklaroi gazetari i Marca-s, Luis F. Rojo, Messi nuk ka folur me askënd për një transferim të mundshëm në një klub tjetër këtë verë, kur i skadon dhe kontrata.
“Messi dhe babai i tij refuzuan të gjithë menaxherët që erdhën tek ai me oferta nga klube të tjera,” lexohet në lajmin e Marca.
Kontrata e Messit skadon më 30 qershor dhe rinovimi i kontratës pritet pasi presidenti i ri i Barcelonës të zgjidhet, pas tetë ditësh.
Paratë nuk kanë qenë kurrë problem për të, megjithatë, Leo do të vendosë një kusht presidentit të ardhshëm, që të pranojë të qëndrojë: një projekt ambicioz sportiv. Argjentinasi dëshiron që klubi të jetë në gjendje të luftojë për çdo titull të mundshëm.
(E.H/Faxweb.al)