Një seancë plenare në kushte të pazakonta. Teksa opozita proteston jashtë sallës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka njoftuar nisjes e seancës, ndërsa në rend të ditës e para çështje është imuniteti i Berishës, nëse do të jepet apo jo autorizimi për arrestimin e ish-kryeministrit. Teksa lexoi rregulloren, Nikolla ftoi Berishën për të marrë fjalën, por ky i fundit refuzoi.
Kujtojmë se dje Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 30 deputetëve të opozitës për të cilësuar antikushtetuese masat ndaj Berishës, ndërsa ajo ia kaloi procedurën e radhës Kuvendit. Sakaq, dje ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e protestës së opozitës. Nën moton “O sot, o Kurrë”, Berisha theksoi se kjo protestë do të mbahet pasi qeveria Rama po ndërmerr vendime antikushtetuese, si dhe paralajmëroi se jo vetëm jashtë Parlamentit, por më datë 21 dhjetor do të vijojë edhe mosbindja civile e deputetëve brenda sallës se seancës plenare.
Berisha paralajmëroi protesta edhe përpara SPAK, institucion, i cili sipas tij po amniston Ramën dhe Veliajn për aferën me inceneratorin e Tiranës.
RAPORTET
Këshilli i Mandateve ka dorëzuar në Kuvend 2 raporte lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Konkretisht, janë dorëzuar në Kuvend “Raporti rekomandues i deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe Raporti rekomandues i deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestim/heqje lirie për Berishën nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Këto 2 raporte do të prezantohen në seancën plenare të ditën së nesërme, ku pritet që Kuvendi të votojë për imunitetin e Berishës. Kujtojmë se pak ditë më parë, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka votuar pro dhënies së autorizimit të SPAK për heqjen e lirisë së Sali Berishës në lidhje me çështjen “Partizani”.
(BalkanWeb)