Një sasi prej 37 kg kokainë është kapur nga policia malazeze. Lënda narkotike ishte fshehur në një automjet tip ‘volkswagen’ me targa shqiptare ndërsa dyshohet se ishte nisur drejt Kroacisë. Ende nuk dihet origjina se nga ishte nisur lënda narkotike, ndërsa grupi i hetimit ngritur për këtë çështje në vendin fqinj, dyshon se Mali i Zi shërbente si vend tranzit.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 35 pako të ndryshme e gatshme për t’u tregtuar. Makina në fjalë i është nënshtruar kontrolleve nga autoritetet doganore në pikën kufitare të Debeli Brijeg ku është konstatuar edhe lënda narkotike.

Sasia e drogës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa kanë nisur hetimet për zbulimin e rrjetit të personave që mund të jenë përfshirë në këtë trafik të paligjshëm.

Kujtojmë se në muajin Gusht të këtij viti në Mal të Zi u kap një sasi rekord droge prej më shumë se 1 ton kokainë, e cila u gjet në një trajler me banane që vinte nga Amerika Latine.

Nga kontrolli i ushtruar në një magazinë në Zeta, një qytet pranë Podgoricës, u gjet sasia e drogës e paketuar në 1205 pako të ndryshme të cilat mbanin mbishkrimin “Covid”, ndërsa pati edhe persona të arrestuar.