16 është numri i personave të arrestuar nga Policia, pas një operacioni antidrogë në zonën e Krujës, shumë zona të së cilës duket se janë kthyer në një Lazarat të dytë. Në kuadër të këtij operacioni, në krye të të cilit qëndronin forcat RENEA janë shpallur në kërkim 24 persona, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë.

Në mesin e personave të arrestuar janë edhe kryepleq të fshatrave si dhe punonjës të OSHEE-së. Disa prej parcelave të drogës ishin evidentuar nga kontrolli ajror i ushtruar nga Guarda di Finanza.

Si rezultat i operacionit u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Finalizohet operacioni policor anticanabis i koduar “AGIMI”. Operacioni i drejtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në operacion Renea, FNSH e Tiranës dhe e Fierit dhe DVP Durrës. Arrestohen 16 persona, shpallen në kërkim 24, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të canabisit kanë zhvilluar me sukses operacionin policor të koduar “Agimi”, në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras të rrethit Krujë.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga Policia e Shtetit dhe nga ajëri të kryera me avion nga GDF, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kanë kontrolluar sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Si rezultat u sekuestrua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Janë vënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, shtetasit Xh.K., dhe D.K., , banues në Halil,(babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në pronën e tyre, u konstatua një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa.

Gjatë operacionit policia gjeti fidanë canabis të kultivuar në sera dhe në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A.D., 27 vjeç, banues në Nikël; M.L., 20 vjeç, banues në Larushkë;

E.K., 18 vjeç, banues në Qerekë; I .K., 33 vjeç, banues në Arrameras; D.D., 49 vjeçe, banuese në Nikël; M.V., 16 vjeç, banues në Halil; F.K., 34 vjeç, banues në Halil; E.A., 30 vjeç, banues në Halil; F.K., 56 vjeçe, banuese në Halil; R.D., 53 vjeç, banues në Halil; E.D., 26 vjeç, banues në Halil.

Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi F.H., 61 vjeç.

Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit E. P., 32 vjeç, dhe S. K., 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës i shtetasve: E.L., 17 vjeç, banues në Larushk ; G.C., 70 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Halil dhe H.Xh., 78 vjeç, banues në Halil, Kryeplak i fshatit Nikël.

Janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 24 shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitetin kriminal të sipërpërmendur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.