Sektori i dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme ka mpërfunduar procesin e verifikimit për Tom Doshin, edhe pse procesi duket të jetë një farsë sa kohë që politikani hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Gjetjet e prokurorisë janë dërguar në KQZ, ndërkohë që verifikimet ndaj tij kishin nisur përpara se Doshi të hiqte dorë nga mandati i siguruar në zgjedhjet e 25 Prillit.

Për rastin Doshi prokuroria mori të dhëna dhe nga ambasada amerikane, për shkak të shpalljes së tij i padëshirueshëm në SHBA, së bashku me familjen e tij.

Njoftimi i prokurorisë: 

Sektori i Dekriminalizimit prane Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Gjek Doshi dhe ia ka përcjellë sot më 04.11.2021 Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim  të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.