Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka reaguar sot për vizitën që nuk mund të bënte në Serbi, për shkak se të gjitha vendet europiane dhe ballkanike kanë ndaluar fluturimet nga Rusia. Vendi i fundit ishte Shkupi, ku Lavrov do kalonte me avion e më pas do udhëtonte drjet Beogradit.

Sipas tij, Moska nuk mund ta imagjinonte një vendim të tillë nga disa vende të NATO-s për të ndaluar ardhjen e ministrit të jashtëm rus, duke theksuar se një vendi sovran, duke aluduar në Serbi, i mohohej e drejta për politikën e tij të jashtme.

Askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet tona me Serbinë, tha sot ministri Lavrov, pasi Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i Zi e kanë ndaluar fluturimin e avionit të tij nga Moska në Beograd.

Lavrov tha se ministrit të Jashtëm serb Nikola Selakoviq i ishte dërguar ftesë për të vizituar Rusinë sa më shpejt të jetë e mundur, me shpresën se nuk do të ketë probleme me fluturimin e avionit të tij, si në rastin aktual “kur Brukseli humbi fytyrën”.

Ministri rus ka bërë dhe një tjetër deklaratë të fortë, kur është shprehur se Rusia mbështet nismën e Beogradit për “Ballkanin e Hapur”. Gjithashtu, nga fjala e tij është lënë të kuptohet se Sergei Lavrov do bënte një paralele të Kosovës me Ukrianën.

“Natyrisht, liderët e Brukselit nuk donin të na jepnin një platformë për bisedime në Beograd, ku ne do të konfirmonim qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe do të mbështesim nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur”, tha Lavrov.

I pyetur se çfarë masash po ndërmerren për mbajtjen e takimit, Lavrov tha se qëndrimi i Serbisë është i njohur dhe se presidenti (Aleksandar) Vuçiq ka theksuar se nuk do të merret me politikë antiruse, por se BE-ja e dëshiron pikërisht këtë.