Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, si i dyshuar lidhur me aferën e inceneratorëve.
Gjykata ka arsyetuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore që të ndryshohej masa e sigurisë ndaj zotit Koka dhe sipas Gjykatës së Lartë, nuk kishte shkaqe për t’u kundështuar vendimi i Apelit. GJL vlerëson vetëm shkeljet që mund t’i jenë bërë zbatimit të ligjit nga gjykatat e shkallëve më të vogla dhe nuk merret me shqyrtimin e fakteve penale.
Kolegji i Gjykatës së Lartë arsyeton se Lefter Koka, edhe në kërkesën që ka bërë ndaj Gjykatës së Lartë për zbutje të masës së sigurisë (arrest në shtëpi ose liri në këmbim të garancisë pasurore), ish-ministri kishte dhënë të njëjtat argumente si në Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, Gjykata e Lartë saktëson se nuk merr në shqyrtim vërtetësinë e fakteve dhe provave dhe prandaj nuk ka pranuar rekursin e bërë nga Lefter Koka.