Banonte prej 13 vitesh në Itali, me kontratë pune të rregullt, i martuar me dy fëmijë 7 dhe 14 vjeç, por një shtetasi shqiptar do të i mohohet mundësia e rinovimit të lejes së qëndrimit në vendin fqinj.

Arsyeja? “Nuk ka përvetësuar rregullat themeltare të bashkëjetesës së qytetëruar”. Nuk është fjalia e një eksponenti i ndonjë organizate raciste,  por vendimi i marrë nga Gjykatës Administrative  të rajonit Liguria, në veri të Italisë,  ndaj shqiptarit që kishte ankimuar një vendim të Kuesturës së Savonës dhe Ministrisë së Brendshme.

Shqiptari, të cilit nuk i është zbuluar identiteti, kishte një rekord negativ në tre vitet e fundit. Edhe pse rregullisht i punësuar, ai ishte dënuar 16 herë për krime të lidhura me trafikimin e narkotikëve, dhe nga “rrezikshmëria” e tij u gjykua si masë e nevojshme largimi, që nuk përfshin vetëm personin në fjalë.

Vendimi vlen edhe për familjen e tij, “nga momenti që kanë të njëjtën nënshtetësi, dhe mund të rikthehen në vendlindje pa shkaktuar probleme ndarje nga kryefamiljari”.