Policia ka arrestuar një 17 vjeçar sot në Tepelenë. Sipas njoftimit zyrtar, se adoleshenti po qarkullonte me armë zjarri në lagje, gjë e cila ka alarmuar banorët e tjerë.

Mësohet se shtetasi me inicialet R.H kishte pasur një konflikt me bashkëmoshatarët e tij.

Njoftimi i policisë:

Tepelenë/Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm me pasoja të rënda për jetën i një konflikti mes disa adoleshentëve.

Sekuestrohet një armë zjarri automatik, me krehër me fishekë dhe një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Arrestohet në flagrancë një 17-vjeçar.

Në sallën operative Tepelenë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, një shtetas qarkullonte me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i shtetasit R. H., 17 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit automatik që ai mbante me vete.

Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me tre bashkëmoshatarë, është larguar, ka marrë një armë zjarri dhe më pas është rikthyer në vendin e konfliktit.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve policore është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, shtetasi R. H., i cili në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit R. H., u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.