Montana është shndërruar në shtetin e parë në SHBA që të miratojë një legjislacion për ndalimin e përdorimit të TikTok në pajisjet personale të shtetasve me 54 vota pro dhe 43 kundër.

TikTok, platforma e cila është nën pronësinë e kompanisë kineze ByteDance, është akuzuar si një rrezik kombëtar për sigurinë e SHBA për shkak të mbledhjes së të dhënave mbi përdoruesit. Nëse ky legjislacion do të firmoset nga guvernatori Greg Gianforte, ky ndalim do të hyjë në fuqi në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Sapo mori vesh për këtë vendim, TikTok lajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore për të luftuar kundër legjislacionit SB 419. Në këtë legjislacion citohen disa shqetësime kryesore rreth TikTok, duke përfshirë këtu survejimin nga qeveria kineze si dhe inkurajimin e trendeve të rrezikshme për përdoruesit e rinj në platformë, si përshembull “hedhja e objekteve në drejtim të makinave që lëvizin” apo ”fikja e zjarrit të vënë qëllimisht nëpërmjet pjesëve të ndryshme të trupit”.

Ky legjislacion do të bëjë të mundur që dyqanet e aplikacioneve të mos ofrojnë TikTok, megjithatë që të gjithë përdoruesit që e kanë të shkarkuar në smartphone aplikacionin do të vazhdojnë ta përdorin. Të gjitha kompanitë që do të shkelin vendimin e marrë nga ligjvënësit në Montana mund të përballen me një gjobë prej $10,000.