Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan lë në fuqi masën “arrest Shtëpie” për ish-nëndrejtorin e policisë Albert Nushi dhe e njëjta masë më herët u la edhe për ish-nëndrejtorin Nikollaq Palla. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Avokatët e tyre kërkuan zëvendësimin e masës së sigurisë pasi sipas tyre kanë ndryshuar kushtet, pra kanë përfunduar hetimet, nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave, nuk ekziston rreziku i largimit të tyre si edhe kushtet ekonomiko familjare.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes deklaruan aso kohe se Nushi, si edhe disa vartës të tij, u larguan me vrap, sapo ndërmjet palëve në konflikt nisi debati, i cili përfundoi me përdorimin e armëve.

Kujtojmë ndërkohë se Nushi rezultoi i përfshirë edhe në dosjen “Babale”. Ai ka deklaruar para trupit gjykues se njohja e tij me Fredi Alizotin vinte për shkak të detyrës, dhe se ai i kishte rrëfyer se ka interpretuar zërin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Geron apo Agron Xhafës në përgjimet e dosjes ‘Babalja’. Ai është shprehur se me Alizotin nuk ka komunikuar më shumë se 3 herë përmes telefonit.