Enton Abilekaj ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për ngjarjet në Parlament dhe bllokimin e seancës, pas refuzimit të kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar interpelancë me opozitën, duke deleguar Elisa Spiropalin si përfaqësuese të tij. 

Abilekaj deklaroi se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla “u shpërdorua” duke i shërbyer kryeministrit. Ai shtoi se Rama e “urren opozitën” dhe se pas publikimit të skandalit “McGonigal”, ka frikë. 

“Edi Rama ka investuar që të mos ketë opozitë. Investimet e tij nga SHBA, deri këtu.
Këtu investon me Lindita Nikollën, që e shpërdoron në këtë farë feje.

Një grua që po bëhet e moshuar dhe po shpërdorohet duke shkelur ligjet, Kushtetutën dhe rregulloren në shërbim të Edi Ramës. Kur mungon ajo, del Taulant Balla dhe vendos, kur hutohet ajo… Është parlament më i keq se i Jozefina Topallit. Ky është parlament që nuk i bën dot interpelancë kryeministrit.

Ai nuk e duron dot opozitën dhe e urren opozitën. Nuk jep llogari as në interpelancë. Rama ka frikë nga e vërteta sepse mund të thotë ndonjë gjë dhe pastaj i del ndryshe në hetim.

Këto janë përpëlitje dhe nuk i ha njeri. Ai trembet nga vetja dhe nga ato që ka bërë. Në një interpelancë urgjente duhet të jepte shpjegime”, deklaroi Abilekaj.