Trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka dalë ditën e sotme në konferencë para mediave, ku ka folur në lidhje me dy ndeshjet miqësore të Shqipërisë në qershor, ndaj Uellsit dhe ndaj Çekisë. Tekniku kuqezi ka prekur disa tema, teksa ndër të tjera është shprehur:
MUNGESA E STRAKOSHËS DHE KAMBERIT- Është kënaqësi që jam para jush. Kemi disa probleme për sa i përket pjesës së portierëve. Berisha dhe Strakosha kanë pasur problem fizike. Do flasim edhe me stafin mjekësor kur të gjithë lojtarët të jenë këtu, për t’i parë nga afër. Pasi të kenë mbaruar ndeshjet e kampionatit shqiptar, mund të bëj ndonjë ndryshim për sa i përket portës. Për sa i përket Kamberit kemi folur me përfaqësuesin e tij, nga i cili nuk i kemi marrë një përgjigje, si duket nuk është entuziast. Do e ndjekim në vazhdimësi atë, nuk mund të themi se është mbyllur këtu. Në ndeshjet e Ligës së Kombeve kemi bërë shumë eksperimente, lista është e madhe, e cila sa vjen dhe bëhet më e shkurtër. Shumë lojtarë të rinj ende nuk janë gati, prandaj nuk po i shikojmë në vazhdimësi. Ka shumë lojtarë të rinj, të cilët luajnë me ekipe të njohura në Europë. Për ndeshjet e Botërorit, unë do të bazohem të ata lojtarë që janë në formë dhe më japin besim. Mihaj ka probleme fizike, po ashtu edhe Dermaku me Hysajn. Ky i fundit ka edhe çështjen e kontratës dhe nuk është në një moment të mirë. Themi shpesh që kemi ndeshje miqësore, por për mendimin tim miqësoret nuk ekzistojnë. Kemi përballë dy ekipe të forta.
BAJRAMI– Për Bajramin do flasim në vijim. Dëshira e tij është e madhe për të ardhur këtu. Është nga më të mirët në Serie B. Ka aftësi të mira për të dribluar. I kalon lehtë kundërshtarët. Do ishte ideal për ekipin tonë. Dëshira është e madhe që të zgjidhet gjithçka dhe besoj se do jetë një fund i lumtur.
AFRIMET NGA SUPERIORJA- Për mua nuk janë dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që presim. I kam lënë një javë pushim për të qenë gati, deri të shtunën do jenë gati. Kemi dy kundërshtarë të rëndësishëm. Lojtarët duhet dhe besoj se do të jenë të motivuar.
NDESHJET DHE TITULLI NË SUPERIORE- Ka qenë një kampionat shumë i ekuilibruar deri në javën e fundit dhe ende nuk dihet si do shkojë, me 3 skuadra ne lojë. Unë për vete do jem në Durrës, por kjo nuk do të thotë se do mbaj krahun e ndonjë skuadre. Të gjitha skuadrat i kanë mundësitë për titullin. Marrim rastin e Napolit, që luante për Ligën e Kampioneve, në letër dukej ndeshje e lehtë, por nuk rezultoi kështu. Për pankinën e Napolit nuk kam pasur asnjë kontakt, ndonëse kam marrëdhënie të mira. Më vjen keq edhe për Atalantën, që nuk arriti ta mbyllë në vendin e dytë kampionatin.
KUNDËRSHTARËT E BOTËRORIT– Hungaria ka bere mirë, ashtu si Polonia që njihet për aftësitë e tyre. Duhet të bëjmë mirë në këto ndeshje për të qenë gati në shtator. Ne kemi një strukturë të ngritur tani dhe një grup lojtarët me kualitet. Të gjithë lojtarët, jo vetëm Kamberi, duhet të jenë të gatshëm ët ndjejnë të gjitha pasojat. Nëse vjen në Kombëtare, luan apo jo, motivimi duhet të jetë në maksimum. Një lojtar që grumbullohet në Kombëtare, është arritje e madhe. Kam folur me prindërit e disa lojatrëve dhe kanë pasur një entuziazëm të madh. Unë them që kjo është ajo që na duhet., lojtarë që janë entuziastë, që janë pjesë e Kombëtares, kjo është ajo që na duhet.
GJASULA DHE RROCA- Sa i përket Rrocës është një lojtar interesant, unë e kam ndjekur në vazhdimësi. Me Gjasulën kam folur dhe ka pasur probleme, ka edhe probleme në klube, ku do ndryshohet stafi. Më kërkoi leje të mos ishte në këto ndeshje dhe ne e kuptuam. Kemi lojtarë në të gjitha pozicionet. Do kemi në fushë një ekip për të përballuar me Çekinë dhe Uellsin.