Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi thotë se ka qenë LSI që nuk pranoi të hynin në një listë të përbashkët me demokratët në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Gjatë emisionit Open, ai u shpreh se PD i ofroi LSI-së 15 mandate të sigurta nëse do të hynin me një listë, por ata i janë përgjigjur se do të mund të fitonin 34 nëse ishin të vetëm.
Bardhi ka zbuluar dhe një bisedë që ka pasur me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Sipas sekretarit të demokratëve, Bardhi i ka thënë Kryemadhit se sipas sondazheve, LSI nuk siguron mandate në qarkun e Elbasanit.Sigurisht gjatë zgjedhjeve ka pasur një mungesë totale vullneti nga LSI për të bashkëpunuar me ne. Debati i famshëm nëse duhet të hynim në një listë të përbashkët apo në një listë të veçantë dhe që u provua se ishte një vendimarrje e gabuar për shkak se sot opozita do të kishte më shumë mandate nëse do të kishim hyrë në një listë. Ka qenë LSI që nuk ka pranuar. Unë t’i tregoj të gjitha, të tregoj dhe biseda po deshe. PD i ka ofruar LSI 15 mandate të sigurta në listat e PD-së, qëndrimi i LSI-së ishte që sipas sondazheve të tyre, ata do të fitonin 34 mandate në të gjithë territorin. Kam patur një bisedë dy muaj në zyrën e kryetarit të partisë. Thanë se do të fitonin të vetëm 34 mandate dhe se nuk pranojmë të hyjmë në një listë. Kam patur një bisedë me kryetaren e LSI-së në prezencë të nënkryetarit Vasili dy muaj pasi isha caktuar drejtues politik i qarkut të Elbasanit. Pasi vlerësova situatën politike në qark, konkludova se LSI nuk merrte sipas gjithë të dhënave, nuk arrinte të siguronte mandate në këtë qark” – tha Bardhi.