Asnjë shpresë për një përfundim të shpejt të luftës në Ukrainë, veçanërisht pas marrjes së Mariupolit nga rusët. Të këtij këndvështrimi janë edhe liderët e dy prej vendeve më të rëndësishme të kontinentit, Emanuel Makron dhe Boris Xhonson.

Në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, presidenti francez beson se Vladimir Putin ka në plan t’a zgjasë sulmin ndaj fqinjit perëndimor.

Shefi i Elizesë i referohet shenjave si ashpërsimi i luftimeve në Mariupol dhe gjithë rajonin e Donjeckut por edhe në Luhansk, ku Rusia synon marrjen e plotë të kontrollit.

Tjetër shenjë janë edhe testimet e raketave me kapacitet bërthamor. Përkeqësimi i situatës do të vijojë deri më 9 Maj – thotë Makron – kur rusët festojnë edhe fitoren ndaj nazistëve.

Ndërsa kryeministri britanik Boris Xhonson mendon se përshkallëzimi i sulmit rus tregon se lufta nuk mund të mbyllet më herët se fundi i vitit të ardhshëm.

Jonhson bëri të ditur gjithashtu se ambasada britanike do të rihapej në Kiev javën e ardhshme.

Në përpjekje për të ç’tensionuar situatën këtë të hënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të takohet me Presidentin Rus Vladimir Putin në Moskë. 

Banka Botërore përllogarit 60 miliardë Dollarë dëme që i janë shkaktuar Ukrainës, deri më tani nga lufta, që pritet të shtohen me vazhdimin e sulmit.